20 Janar 2025

Spahiu: Kryeministër, vetëm nëse e thyen opozitën

Prishtinë, 4 korrik -  Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar se, nëse Hashim Thaçi nuk arrin ta thyejë bllokun opozitar, atëherë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i ardhshëm.

Analisti politik Nexhmedin Spahiu në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se nuk do të jetë i vështirë konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re. 

“Fillimisht do ta kemi përpjekjen e Hashim Thaçit për ta formuar Qeverinë dhe, nëse dështon ai, atëherë do ta kemi përpjekjen e Ramush Haradinajt për ta bërë qeverinë.

Kjo është ajo çfarë pritet të ndodhë ditët e ardhshme. Nuk besoj se do të jetë e vështirë të krijohen institucionet e reja.

Ata që janë përkujdesur ta sjellin Kosovën deri këtu, do të përkujdesen edhe për konstituimin e institucioneve të reja.  Në qoftë se Hashim Thaçi nuk arrin ta thyejë bllokun që ka krijuar Ramush Haradinaj, atëherë sigurisht se Ramushi do ta formojë qeverinë e re”, ka thënë Spahiu.

I pyetur se sa do të qëndrojnë unike LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA karshi PDK-së? Ai ka thënë se kjo më shumë varet prej karakterit dhe qëndrueshmërisë së tyre (LDK-AAK-NISMA). “Po ashtu, kjo varet edhe nga insistimi i ambasadave mike në Kosovë, të cilat e kanë krijuar këtë bllok opozitar”, është shprehur Spahiu..

Ai ka deklaruar se PDK-ja ka disa deputetë të partive të tjera të cilët, sipas tij, janë duke punuar fshehurazi për këtë parti. “Unë e di se PDK-ja ka disa deputetë të partive të tjera të cilët deri më tani kanë punuar fshehurazi për PDK-në, por nuk e di sa është numri i tyre dhe sa do të mjaftojë ai numër për ta formuar qeverinë e re”, ka deklaruar Spahiu.

Ai ka thënë se koalicioni në mes të LDK-së, AAK-së dhe NISMËS është bërë me insistimin e ambasadave mike të Kosovës.

“Hashim Thaçi është aq i zoti saqë pa përkrahjen e ambasadave këto tri parti kurrë nuk do të ishin bërë bashkë. Nuk them se është bërë me izën e faktorit ndërkombëtarë, por me insistimin e tyre. Ky bllok është bërë në koordinim me ambasadat mike të Kosovës”, ka thënë Spahiu.

Duke shtuar se Hashim Thaçi nuk duhet të insistojë me çdo kusht ta formojë qeverinë e re. “Nuk mendoj se është mirë për Hashimin për të insistuar që gjithqysh ta formojë qeverinë, sidomos në momentin që e ka parë që ambasadat mike të Kosovës dhe qeveritë mike të Kosovës janë të interesuara që ai të shkojë në opozitë. Po të isha këshilltar i tij do t’i sugjeroja të mos insistojë në këtë drejtim”, ka thënë Spahiu.


Pavarësisht situatës së krijuar, Spahiu nuk mendon se do të ishte mirë të shkohet prapë në zgjedhje të reja. “Nuk ka asnjë interes që Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Së pari deputetët e zgjedhur brenda PDK-së nuk kanë interes të ketë zgjedhje të tjera. Po ashtu, as LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA nuk kanë interes të shkojnë në zgjedhje”, ka deklaruar Spahiu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)