Spahiu: Asociacioni është republikë
Prishtinë, 25 tetor - Publicist nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu që është edhe profesor i shkencave politike e sheh rrezik të madh nga marrëveshjet e fundit që Kosova i ka mbërritur me Serbinë, e të cilat veçmas e prekin qytetin e tij.
Në një intervistë për Kohën Ditore ai vë theksin te dy nga katër marrëveshjet e firmosura gjatë muajit gusht te Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe te ajo për rivitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, e cila ndodhet mbi lumin që ndan qytetin në dy komuna me shumicë etnike të ndryshme.
Tek flet për Asociacionin, Spahiu pak rëndësi i kushton asaj që shkruan në marrëveshje. Thotë se funksionimi i këtij Asociacioni e bën de fakto funksionimin e Republika Srpskas në Kosovë, por pa emrin republika. Emri republikë, sipas tij, mund ti vihet më vonë në momentin kur të vijë në rend dite që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
E tek flet për urën e Ibrit, përmend një paradoks që përmban plani për rivitalizimin e saj hapësirën e madhe gjelbëruese, në dëm të përgjysmimit të korsive të rrugës. Me të dëmshme se këtë e vlerëson mosplanifikimin për ta ngritur xhaminë e djegur në luftë, themelet e së cilës ndodhen në brigjet veriore të Ibrit, skaj urës. Mungesa e saj thotë se do të krijojë barriera psikologjike në mes të dy pjesëve të Mitrovicës.
Në këtë intervistë Spahiu ka folur edhe për efektet e marrëveshjeve dhe nevojën për dialog. Po kështu, edhe për strukturat që Serbia vazhdon ti mbajë në Kosovë. Ai ka argumentuar se, edhe nëse shpërbëhen formalisht, nuk do të jetë e vështirë ringjallja e këtyre strukturave.
/Kohën Ditore/