Sot takimi i radhës Thaçi-Daçiq
Bruksel, 21 maj - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, sot do të takohen në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.
Në këtë takim do të shqyrtohet plani për zbatimin e marrëveshjes.Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, duke komentuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se për BE-në janë të rëndësishme aspektet që të vihet deri tek pika që të përmbushen kushtet.
Ashton ka theksuar se tashmë ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë për guxim dhe përkushtim, si dhe për punën e vështirë në arritjen e marrëveshjes, ndërsa kryeministri Thaçi ka shprehur besimin se do të arrihet një marrëveshje për këtë dhe se nuk ka kthim prapa përveç zbatimit të marrëveshjes.