Sot takimi i Prizrenit
Prishtinë, 11 janar - Kryeministri Thaçi, ka deklaruar se takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike, me një qëllim dhe vizion - vizionin euroatlantik.
Kryeministri Thaçi në mbledhjen e 165-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka theksuar se takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës.
"Nesër në Prizren ndodhë takimi i përbashkët, takimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Është dashur sakrificë shekullore brezash, që të ndodhte krejt natyrshëm ky takim i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, i qeverive tona. Ky takim përshëndetet edhe nga miqtë ndërkombëtarë. Takimi i Prizrenit ëndrrën e shumë brezave e bënë realitet theksoi Kryeministri Thaçi në mbledhjen e 165-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, një ditë para mbajtjes së Mbledhjes së Përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë", ka pohur ai.
"U bënë gjashtë vite që në gjeografinë politike të Evropës, u lind një shtet i ri, shteti i Kosovës, ku edhe e kurorëzuam dinjitetshëm ëndrrën shekullore të qytetarëve tanë me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, shtet demokratik. Kur vendi ynë mori atributin më të lartë të organizimit politik të krijimit të shtetit të pavarur", ka pohuar ai.
Sipas tij Pavarësia e Kosovës ka sjellë më tepër paqe e stabilitet për tërë rajonin. Prandaj, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha vendet e rajonit.