Sot skadon afati për regjistrimin e listave të kandidatëve për zgjedhje
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se deri më tash janë paraqitur vetëm dy iniciativa qytetare serbe, të cilat vijnë nga Kosova qendrore dhe rajoni i Anamoravës.
Deri më tash janë paraqitur 38 subjekte politike, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme komunale. Nga veriu i Kosovës nuk është paraqitur ende asnjë subjekt politik, ka thënë Miradije Mavriqi nga KQZ-ja, raportojnë mediat serbe.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 3 nëntor.
Pjesëmarrja e serbëve në këtë proces është parakusht për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të paraparë me Marrëveshjen e Brukselit.
Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka kandidatë për disa komuna të mëdha siç janë Prizreni, Gjakova, Gjilan e të tjera.
LDK ende nuk ka emrin për Prishtinën, edhe pse flitet shumë që Isa Mustafa do rikandidohet. Ndërsa AAK-ja i ka përzgjedhur kandidatët e tyre.
Sa i përket kandidatëve Vetëvendosje thotë se nuk do të kenë në Komunat e Pakos së Ahtisarit, ndërsa në të tjerat deri sot do ti përfundojnë. Pra, ndër komunat që nuk do të aplikojnë janë edhe Juniku dhe Hani i Elezit.
Partitë që duan të marrin pjesë në një komunë duhet të paguajnë 200 euro për certifikim, ndërsa ato që duan të marrin pjesë në të gjitha komunat duhet të paguajnë 2 mijë euro.