Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut
Prishtinë, 10 dhjetor - Sot EULEX-i shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe kujton miratimin dhe shpalljen e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNJ) nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Edhe pse DUDNJ ka vetëm karakter shpjegues, të drejtat e përcaktuara janë inkorporuar në instrumentet juridike ndërkombëtare, rajonale dhe nacionale dhe janë bërë ligjërisht të obligueshme. Në Kosovë këto dispozita janë pjesë e ligjit në fuqi dhe i obligojnë institucionet e Kosovës që ti garantojnë këto të drejta themelore për të gjithë qytetarët e saj.
Shkeljet e të Drejtave të Njeriut e minojnë strukturën e sundimit të ligjit të secilës shoqëri. Viktimat, të cilave ju shkelen të drejtat njerëzore, kanë nevojë për mbrojtje dhe ndihmë dhe kryesit e shkeljes duhet menjëherë të dalin para drejtësisë. EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë gjyqësorin dhe policinë e Kosovës në mënyrë që të sigurojë mbrojtje maksimale për viktimat e krimit dhe ndjekje efikase penale për autorët e krimeve tha Shefi i EULEX-it Xavier de Marnhac.
EULEX-i ju ndihmon autoriteteve të Kosovës, autoriteteve gjyqësore dhe agjencive për zbatimin e ligjit në përparimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies, përfshirë respektimin e ligjit sipas parimeve të DUDNJ.
Në këtë kuadër, EULEX-i i monitoron, mentoron dhe këshillon (MMK) institucionet e Kosovës për ta siguruar pajtueshmërinë me ligjin për të drejtat e njeriut dhe merr pjesë në procesin e hartimit të legjislacionit për tu siguruar që parimet e DUDNJ të përfshihen plotësisht në legjislacionin e ri. Është me rëndësi të theksohet që respektimi i plotë i të drejtave të njeriut është prioriteti kryesor për partneritet evropian.
EULEX-i siguron që të gjitha kompetencat ekzekutive, të cilat rrjedhin nga mandati i tij, i respektojnë standardet ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e njeriut dhe që njësia e tij e caktuar, Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe Çështje Gjinore, i zbaton këto standarde në veprimet e saj.