Sot shënohet dita nacionale e Komunitetit Egjiptian
Prishtinë, 24 qershor - Sot shënohet dita nacionale e komunitetit Egjiptian të Ballkanit e cila shënohet edhe në Kosovë dhe është ditë zyrtare.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha ka thotë se për vite me radhë “24 Qershori” është simbolizuar me shumë aktivitete brenda Javës Egjiptiane, mirëpo për fat të keq këtë vit, ne nuk do të mund të kremtojmë këtë ditë siç e kemi festuar në vitet e kaluara për shkak të situatës aktuale që po ballafaqohemi me virusin COVID-19.
"Është e vërtetë që e gjithë bota duke përfshirë edhe Kosovën, po ballafaqohemi me virusin COVID-19, por për fat të keq komuniteti Egjiptian ballafaqohet në jetën e përditshme: me virusin e quajtur “diskriminim”, virusin “racizëm”, virusin e “pa punësimit” dhe shumë viruse të tjera që ende nuk kemi arritur të gjejmë ilaq për ti shëruar këto sëmundje në Kosovë."
"Shpresoj me përkushtim të qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe shoqërisë kosovare, ne mund ti kalojmë jo vetëm këto sfida por duhet që të gjithë së bashku të marrim përgjegjësi dhe ti kryejmë obligimet të cilat na mundësojnë Kushtetuta dhe Ligjet e Republikës së Kosovës", thekson Berisha.
Po ashtu, në këtë ditë në emër të komunitetit Egjiptian ai falënderon mediat pa dallim për rolin e çmueshëm në informimin, promovimin dhe trajtim të dinjitetshëm të komunitetin Egjiptian.