Sot, seanca e jashtëzakonshme lidhur me dialogun
Prishtinë, 14 korrik - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e se henës të drejtuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës së dy seancave të ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme, në të cilën do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë dhe marrëveshjet e arritura në këtë dialog, sipas kërkesës së grupeve parlamentare: GP LDK, GP LVV dhe GP AAK.
Ismet Beqiri, shef i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka deklaruar se kjo parti e sheh të dëmshme marrëveshjen e arritur dhe si të tillë e konsiderojnë të papranueshme. Ai tha se marrëveshja që është arritur mes palëve cënon sovranitetin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Delegacionet në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas disa raundeve kanë rënë dakort që më 2 korrik të ketë një marrëveshje të pa nënshkruar, por që është nxjerrë si konkluzion i ndërmjetësuesit në këto biseidme, Bashkimi Europian, në tre fusha: atë të lëvizjes së lirë, të regjistrave civilë dhe diplomave. Këto konkluzione janë përshëndetur nga qeveria, por jo edhe nga opozita.
Ndërkaq, seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet më 21 korrik.
Në rendin e ditës së mbledhjes së Kryesisë ishte edhe kërkesa e EULEX-it që Kuvendi të miratojë një Rezolutë, me të cilën kërkohet nga Qeveria të referojë çështjen e imunitetit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si dhe përgjigjja në këtë kërkesë e kryetarit të Kuvendit që do t i procedohet shefit të EULEX-it.