02 Maj 2024

Sot nis zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integrimit të Kufirit

Prishtinë, 10 dhejtor - Në takimin e tretë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton është rënë dakord që implementimin i marrëveshjes për Menaxhimin e Integrimit të Kufirit (IBM) të nis sot më 10 dhjetor në Merdare dhe Jarinjë.

Këtë e ka konfirmuar edhe Kryeministri, Hashim Thaçi pas takimit të zhvilluar me Daçiqin në Bruksel.

Kryeministri Thaçi ka thënë se menaxhimi i kufirit do të bëhet bashkërisht ndemjet policisë dhe doganierëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, si dhe EULEX-it. Po ashtu, sipas tij, është arritur edhe marrëveshje për hapjen e zyrave ndërlidhje të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë.

Ashton ka thënë se të dyja palët janë pajtuar që të shqyrtojnë gjetjen e mënyrës që ndihma financiare për komunitetin serb në Kosovë të jetë transparente.

“Dy kryeministrat konfirmuan se pikat kufitare në Jarinjë dhe Merdare do të jenë të gatshme me 10 dhjetor. Ndërsa, pika kufitare Dheu i Bardh dhe ajo në Bërnjak do të jenë funksionale me 31 dhjetor”, ka thënë Ashton. 

Ndërkaq udhëheqësi i ekipeve teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, Fisnik Rexhepi, njëherësh këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, ka thënë se të hënën nis zbatimi i marrëveshjes.

“Ne tashmë i kemi finalizuar të gjitha përgatitjet për të pritur autoritete kompetente të Republikës së Serbisë për të operuar në pikën kufitare në Merdare. Dhe, në bazë të punëve dhe dinamikës të cilat po bëhen ne presim që të hënën, duke filluar nga ora 8, çdo gjë të jetë gati për fillimin normal të punës”, tha Rexhepi.

Ndërkohë, edhe zyrtarët serbë njoftuan se në Jarinë, ku punët në ndërtimin e infrastrukturës po vazhdojnë ende, do të nisë së zbatuari IBM-ja që nga dita e hënë.

Kjo u konfirmua nga shefi i ekipit negociator të Beogradit në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviq.

Ai, pas vizitës që i bëri vendkalimit në Jarinë, tha se të hënën në orën 8 do të kalojë automjeti i parë dhe personi i parë sipas sistemit të ri, duke shtuar se mund të jetë ai që do të kalojë sipas regjimit të ri.

Paviçeviq theksoi për mediat serbe se në mes të, siç e quajti, “linjës së tashme administrative dhe menaxhimit të integruar, nuk do të ketë dallime drastike”, për të shtuar se qytetarët do të kalojnë nëpër vendkalime vetëm me letërnjoftime.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit parasheh praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë, si dhe ata të Serbisë, por edhe të EULEX-it.

Serbët e veriut në vazhdimësi patën kundërshtuar praninë e zyrtarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare, gjë që pati shërbyer si shkas i protestave dhe bllokimit të rrugëve që çojnë drejt këtyre vendkalimeve.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës deklaruan se do të jenë të pranishëm në vendkalimet kufitare në veri edhe më tutje. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se policia në vendkalimet kufitare do të shkojë ashtu siç ka shkuar deri më tash.

“Policia e Kosovës në bazë të marrëveshjes së arritur të IBM-së, ka qenë e gatshme dhe do të zbatojë vendimin, i cili rrjedh për marrëveshjen e IBM-së. Kështu që është e gatshme të fillojë me kohë punën dhe do të jetë prezent dhe lëvizja deri në pikat kufitare, do të bëhet ashtu siç ka vepruar deri tani”, tha Kelani.

Policia dhe doganierët kosovarë në vendkalimet kufitare në veri vazhdojnë të shfrytëzojnë transportin ajror për të arritur në vendet e tyre të punës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)