Sot nis fushata pesëditëshe për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale
Dy partitë më të mëdha në vend: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike do të ballafaqohen në tetë komuna. Gara më interesante pritet të zhvillohet në Prishtinë, pasi në garë janë kryetari aktual, Isa Mustafa i LDK-së, dhe Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes,
Balotazhi do të mbahet në Komunën e Prishtinës, Gjakovës, Gjilanit, Prizrenit, Pejës, Lipjanit, Dragashi, Klina, Kamenica, Mitrovica, Novobërda, Obiliqi, Rahoveci, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Graçanica, Parteshi, Ranillug, Kllokoti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që me 1 dhjetor të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime në Komunën e Zveçanit dhe pastaj të shpallet edhe kandidati fitues pasi që janë vetëm dy kandidat, Krstimir Pantiq nga Gradanske Inicijative Srpska, GIS me 2283 vota dheOliver Ivanoviq nga Gradanske Inicijative SDP, me 1 mijë e 705.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vërtetuar rezultatet e rrethit të parë të këtyre zgjedhjeve, ndërsa ka urdhëruar përsëritje të zgjedhjeve në tri vendvotime në komunën e Zveçanit, komunë kjo me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Kjo është hera e parë që komunat veriore marrin pjesë në zgjedhjet komunale të Kosovës, hap që pason marrëveshjen e arritur në prill mes Thaçit e Daçiqit, në kuadër të dialogut për normalizimin e mardhënieve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë bërë përgatitjet që gjithçka të shkojë mirë në këto zgjedhje. Kjo e fundit ka miratuar edhe rekomandimet e Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike për akreditimin e 900 vëzhguesve shtesë.