Sot nis "Epopeja e UÇK-së"
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila ndodhet për vizitë në SHBA, i është drejtuar me një telegram familjes Jashari, me rastin e përvjetorit të betejës së lavdishme të 5, 6 e 7 marsit 1998.
"Në pamundësi për të marrë pjesë në Manifestimin e Epopesë së UÇK-së për shkak të vizitës jashtë shtetit, me pietet të lartë ju shpreh nderimet dhe respektin për veprën e lavdishme të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Heroit të Popullit, Adem Jashari, sakrificës sublime të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të UÇK-së që simbolizohet në këtë ditë të madhe", ka thënë Jahjaga.
Manifestimi do të nisë sot me ceremoninë kryesore në orën 11:00 në kazermën Adem Jashari në Prishtinë me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, një program kulturo-artistik nga ansamblet dhe këngëtarët e njohur të estradës dhe të ansamblit Shota.
Më 6 mars do të bëhen homazhe te Kompleksi Memorial i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Prekaz, nga ora 10:00 -12:00, ndërsa në orën 18.00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet Akademia Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit si dhe një program artistik nga Filarmonia e Kosovës.
Më 7 Mars, në ora 18.00 në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz do të mbahet manifestimi Nata e Zjarreve ku do të ndizen flakadanët simbol i luftës dhe sakrificës për liri edhe në të gjitha vendet ku janë zhvilluar betejat e UÇK-së në Kosovë. Ndërsa programi kulturo-artistik, do të mbahet në sheshin Adem Jashari në Skenderaj.
Më datat 5, 6 e 7 mars 1998 në Epopenë e Prekazit në mbrojtje të Kosovës në luftën për liri dhe çlirim, në përballje me forcat ushtarako-policore serbe, ranë heroikisht dhe më pas u masakruan 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit të UÇK-së tani heroit të Kosovës, Adem Jashari.