Sot mbahet protestë kundër ndarjes së Mitrovicës dhe për Preshevën
Prishtinë, 19 mars - Lëvizja për Bashkim sot organizon protestë mbarë popullore para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kundër ndarjes së Mitrovicës dhe Preshevës.
Protesta që do të mbahet në orën 14:00, do të fillojë para Teatrit Kombëtar me moton: Të gjithë kundër ndarjes së Mitrovicës dhe për Preshevën.
Avni Klinaku, kryetar i Lëvizjes për Bashkim në Kosovën ka njoftuar opinion e gjerë se LB-ja e shqetësuar për rrjedhën e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, fton gjitha subjektet politike dhe qytetarët e Kosovës dhe Luginës së Preshevës që ti bashkohen protestës së këtij subjekti.
Qëllimi i protestës është për ti bërë me dije publikut të gjerë se qeveria e Kosovës dhe Brukseli, të provokuar nga projekte serbe, padrejtësisht kanë injoruar 13 vite me radhë dy çështje të rëndësishme, ndarjen e Mitrovicës në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe harresa e shqiptarëve etnik në Luginën e Preshevës, raporton agjensia e lajmeve Presheva Jonë.