Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë
Prishtinë, 6 tetor - Sot në gjithë teritorin e Republikës së Kosovës do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 25 subjekte politike të cilat hyjnë në garën zgjedhore për të siguruar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas listës preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit është 1.972.466.
Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje do të hapen 895 qendra të votimit me gjithsejtë 2 mijë e 547 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19.00.
Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një grup i më shumë se 40 organizatave të shoqërisë civile të cilët janë bashkuar në koalicionin “Demokracia në Veprim”.
Procesi zgjedhor i 6 tetorit do të vëzhgohet edhe nga një mision i gjerë i Bashkimit Evropian. Rreth 30 vëzhgues dhe analistë të këtij misioni janë vendosur në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator.
Njëjtë si herëve të kaluara edhe në këto zgjedhje, në total do të jenë rreth 100 vëzhgues, nga shtetet anëtare të BE-së që do të vëzhgojnë procesin e votimit dhe numërimit më 6 tetor.
Ndërkaq, Policia e Kosovës do të kujdeset për mbarëvajtjen procesit si dhe transportimin e materialit zgjedhor.
Për të siguruar një proces të drejtë zgjedhor rol të rëndësishëm ka edhe Prokuroria e Shtetit, institucion ky që ka caktuar 100 prokurorë kujdestarë në nivel vendi për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.