Sot mbahen zgjedhjet lokale
Zgjedhjet lokale për herë të parë në Kosovë mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës, ndërkohë do të monitorohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendës e ndërkombëtar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të drejtë vote kanë 1 milion e 779 mijë e 357 votues, të cilët do ti zgjedhin këshilltarët dhe kryetarët e 39 komunave të vendit.
Në garë për kryetar komune e asambleistë janë 103 subjekte politike, me gjithsej 7.932 kandidatë.
Për këto zgjedhje, do të përdoren listat e hapura. Në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesi voton për një (1) subjekt politik të certifikuar, dhe mund të votojë për një (1) kandidat nga lista e kandidatëve të këtij subjekti politik.
Nëse në fletëvotim janë shënuar më shumë se një (1) kandidat, vetëm vota për subjektin politik llogaritet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar 30, 173 vëzhgues të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Lista e subjekteve politike, organizatave, mediave, ambasadave etj. përfshin: 25 parti politike, me gjithsej 21, 030 vëzhgues. 30 nisma qytetare, me gjithsej 5, 535 vëzhgues. 2 koalicione, me gjithsej 253 vëzhgues. 4 kandidatë të pavarur, me gjithsej 167 vëzhgues. 15 ambasada dhe zyra ndërlidhëse, me gjithsej 210 vëzhgues. 4 organizata ndërkombëtare, me gjithsej 254 vëzhgues. 2 institucione, me gjithsej 54 përfaqësues. 21 organizata joqeveritare vendore, me gjithsej 2, 479 vëzhgues. 23 media, me gjithsej 191 përfaqësues.