Sot mbahen zgjedhet në qendra të votimit në veri të Mitrovicës
Mitrovicë, 17 nëntor - Sot që nga ora 7:00 e mëngjesit do të hapen kutit e votimit në tri qendra të votimit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Përsëritja e votimeve në këto tri qendra, vjen si pasojë e dhunës që ishte ushtruar nga një grup njerëzish më 3 nëntor që kishte sjellë deri te mbyllja e parakohshme e tyre.
Andaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 5 nëntor, duke u bazuar në rekomandimin e qendrës së numërimit dhe të rezultateve, ka marrë vendim për përseritjen e zgjedhjeve në qendrat e votimit: 3505B, 3505X dhe 3506B në komunën e Mitrovicës së Veriut.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me datë 6 nëntor ka caktuar 17 nëntorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në këto tri Qendra të Votimit.
Në këto tri qendra të votimit janë 27 vendvotime dhe 23 378 votues në listën përfundimtare të votuesve.
Po ashtu Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë paralajmëruar masa të shtuara sigurie për të krijuar mbarëvajtje të zgjedhjeve në tri qendra të votimit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se ka tashmë një plan operativ, i cili do të zbatohet për të siguruar mbarëvajtjen e gjithë procesit të rivotimeve në këto qendra në Mitrovicën veriore.
Policia e Kosovës do të jetë e kyçur dhe e përgatitur për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend që do të nënkuptojë para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve".
"Pra, do të bëhet sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale dhe zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numrit dhe depos qendrore deri në përfundim të numërimit të votave. Po ashtu, do të bëhet edhe përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara deri në përfundim të këtij operacioni, ka thënë Kelani.
Masat e shtuara të sigurisë, po ndërmerren në koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in.
Zëdhënëse e misionit të EULEX-it në Prishtinë, Irina Gudeleviq, ka thënë se qytetarët do të kenë më shumë siguri kësaj radhe, pasi që rreth qendrave të votimit do të ketë prani më të madhe të policisë së Kosovës, të cilat do të monitorohen nga afër edhe nga policia e EULEX-it.
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i që të jenë vigjilent dhe të veprojnë në mënyrë të paanshme, me maturi dhe vendosmëri. Nëse procesi zgjedhor ose siguria e votuesve, e stafit dhe e vëzhguesve në vendvotime, rrezikohet që të shkatërrohet, atëherë Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, janë të përgatitur për të ndërhyrë menjëherë, ka theksuar Gudeleviq.
Në një deklaratë të përbashkët të organeve të sigurisë, thuhet se forcat e KFOR-it do të jenë të pranishme në afërsi të vendvotimeve dhe në hapësirat e tjera me qëllim që të sigurohet ambient i qetë dhe i sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.