Sot fillon procesi i bisedimeve për krijimin e qeverisë
Prishtinë, 7 shkurt - Në Kosovë, dita e sotm pritet të shënojë edhe zyrtarisht fillimin e procesit të bisedimeve për krijimin e institucioneve të reja në bazë të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.
Komisioni Qendror Zgjedhor pritet të certifikojë nesër (të hënën) rezultatet e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, për ti hapur kështu rrugë partisë fituese, PDK-së, që të nisë bisedimet për koalicionin e ardhshëm qeveritar.
Ndonëse procesi nuk duket i lehtë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, që është fituese e këtyre zgjedhjeve, Hashim Thaçi, beson se do të krijojë qeverinë e re deri më 17 shkurt, kur Kosova shënon përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj.
PDK-ja nuk do tu dërgojë ftesa për bisedime Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.
Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi ka deklaruar: Ne nuk i kemi ftuar në koalicion as LDK-në e as Vetëvendosjen dhe nuk jam i sigurt se do tu bëjmë ndonjë ftesë. Kështu që, çfarëdo deklarate se nuk hyjmë në koalicion, është e parakohshme, sepse ne nuk i kemi ftuar ato ende dhe nuk besoj se do të marrim ndonjë vendim për ti ftuar, edhe pse kjo është një çështje që u mbetet organeve vendimarrëse të PDK-së.
Memli Krasniqi hedh poshtë njoftimet për shtim të numrit të ministrive, sic thuhej, për ti kënaqur apetitet e partnerëve të koalicionit, apo për ndarjen e resorëve për partitë e caktuara.
Për PDK-në, vetëm një gjë është e qartë - kryeministër do të mbetet Hashim Thaçi. Postet tjera, sipas Krasniqit, mbeten të negociueshme.
Tash për tash, e vetmja pozitë udhëheqëse në Kosovë, që dihet me siguri se nga kush do të udhëhiqet, është pozita e kryeministrit që udhëhiqet edhe tani edhe në të ardhmen nga zoti Hashim Thaçi, i cili ka mandatin e PDK-së dhe të qytetarëve të Kosovës për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme. Për të gjitha pozitat tjera, besoj se do të ketë zhvillime, të cilat do të merren vesh në ditët e ardhshme, sepse tani për tani nuk ka absolutisht asgjë konkrete, thekson Krasniqi.