Sot caktohet mbledhja e parë e parlamentit të ri
Prishtinë, 10 shkurt - Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ftuar sot përfaqësuesit e partive parlamentare të legjislaturës së re, të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Në këtë mbledhje duhet të caktohet seanca konstituive e parlamentit të ri. Ajo, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, nuk mund të mbahet para pesë ditësh nga dita e caktimit. Sipas kësaj, deputetët e legjislaturës së katërt do të mblidhen të martën.
Në rendin e ditës së asaj seance parashikohet të hyjë formimi i komisioneve të përkohshme për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, si dhe zgjedhja e kryetarit dhe e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, mbledhjen konstituive do ta udhëheqë deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës. Pas verifikimit të mandateve, parashikohet të bëhet betimi i deputetëve.
Deklaratën e betimit do ta lexojë kryesuesi i mbledhjes, ndërsa deputetët në fund të deklaratës do ta shqiptojnë fjalën Betohem. Më pas secili nga ta duhet ta nënshkruajë atë deklaratë.
Deputeti që mungon në mbledhjen konstituive, kur bëhet betimi, e ka për obligim që të betohet në mbledhjen e parë të radhës. E ata që nuk pranojnë fare të betohen, rrezikojnë tëdjegin mandatin e deputetit.
Kuvendi i Kosovës, të enjten, do të hapë dyert për regjistrimin e kandidatëve të partive politike që kanë fituar besimin e qytetarëve për t`u bërë deputetë të legjislaturës së katërt.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit e mandatit të kaluar pritet të zhvillojë një takim me drejtuesit e shumicës së partive parlamentare.
Një nga anëtarët e Kryesisë ka bërë të ditur se në atë takim do të diskutohen modalitetet rreth mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, pa përjashtuar mundësinë e ndarjes së hapësirave ku do të sistemohen grupet e veçanta parlamentare.
Sistemimi i grupeve, sipas tij, parashikohet të bëhet sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike. Nëse dy apo më shumë parti parlamentare kanë numër të njëjtë të deputetëve, atëherë renditja e tyre në sallë, bëhet sipas shortit.