Smund të përsëritet koalicioni me PDK-në
Prishtinë, 3 gusht - Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se koalicioni LDK-AAK-Nisma ka 83 deputetë dhe sipas tij, po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të formuar institucionet, Kuvendin dhe Qeverinë.
Haziri është shprehur kundër idesë së PDK-së që qeveria e ardhshme të jetë me përfshirje të gjerë. Ai ka deklaruar për Epokën e re se koalicioni i dikurshëm PDK-LDK nuk mund të përsëritet tani. Koalicioni që e udhëheq LDK-ja i ka 83 deputetë. Nëse mendohet në një koalicion që ka qenë deri në vitin 2010 është çështje tjetër. Koha ka dëshmuar se tërheqja e LDK-së njëanshëm nga ajo qeverisje nuk ka mundur të riparohet ende, ka thënë Haziri.
Sipas tij, në këtë fazë LDK-ja ka krijuar një koalicion me shumicë të madhe parlamentare, pa PDK-në dhe po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta vazhduar formimin e qeverisë dhe organeve të tjera shtetërore. Situata politike në Kosovë ka nevojë për zgjidhje legale, jo për zgjidhje politike. Dhe legaliteti kërkohet nga Gjykata Kushtetuese që është organi më i lartë dhe garantues i kushtetutshmërisë. Kërkesën për shqyrtim e ka shkaktuar PDK-ja dhe në këtë kohë, kur jemi në pritje të vendimit të Kushtetueses për shumicën parlamentare, mendoj se duhet ta presim datën që është konfirmuar e që është 21 gushti, ka deklaruar Haziri.
Ai është shprehur i bindur se Kushtetuesja do ta konfirmojë kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryeparlamentarit. Ne kemi thënë se vazhdojmë të besojmë se kjo çështje do të interpretohet ashtu siç është thënë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Besojmë shumë se kemi vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe presim që vetëm të konfirmohet kjo kushtetutshmëri e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, është shprehur Haziri.