18 Janar 2025

Skenimi i integritetit në institucionet publike në Kosovë

Prishtinë, 9 qershor – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencën për media me ç’rast ka publikuar hulumtimin “Skenimi i integritetit në institucionet publike në Kosovë”. E ftuar në këtë konferencë ishte edhe ambasadorja holandeze në Kosovë, Gerrie Williems. 

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se qëllimi i këtij hulumtimi ishte identifikimi i problemeve kryesore në vend sa i përket nivelit të integritetit sipas zyrtarëve publik në nivelin lokal dhe atë qendror. “Qëllimi ka qenë që ky hulumtim të bëhet brenda institucioneve për të parë çfarë mendimi kanë ata për veten”, tha Zogaj.

Ndërkaq Fitore Metbala, nga FOL tha se në këtë hulumtim janë përfshirë 1000 zyrtarë të nivelit lokal dhe qendror. Sipas saj, në këtë hulumtim janë përfshirë këto institucione: Gjykatat Themelore, Presidenca, Qeveria, Kuvendi i Kosovës, Agjensionet e Pavarura, Autoritetet Rregullative, Doganat e Kosovës, Universiteti i Prishtinës, Ndërmarrjet Publike si dhe Qendrën Klinike Universitare. “Lidhur me atë se sa respektohet ligji për shërbimin civil të Republikës së Kosovës sipas të anketuarve del se ky ligj respektohet më shpesh nga nëpunësit civil sesa nga udhëheqësit e institucioneve lokale/qendrore”, tha Metbala.   Ndërsa, sa i përket sjelljes së nëpunësve në shërbimin civil, raportimi i rasteve për shkelje të rregullave është 63% nga të dyja nivelet të cilët kanë thënë se i kanë raportuar.

“Në pyetjen se sa shpesh nëpunësit civil përfshihen në afera të korrupsionit, një pjesë dërrmuese e tyre refuzuan të përgjigjen, sidomos prej atyre që punojnë në nivelin qendror (49%). Ndërsa, rreth 25% janë përgjigjur me ‘shumë shpesh’ ose ‘shpesh’ në këtë pyetje. Gjithashtu, afër 12% e të anketuarve mendojnë se niveli i korrupsionit në shërbimin civil në Kosovë është rritur”, deklaroi ajo. 

Ndërkaq, Ambasadorja Holandeze në Kosovë, znj. Gerrie Willems, tha se kontrolli i integritetit kontribuon në transparencën e nevojshme rreth çështjes së integritetit dhe korrupsionit. “Sundimi i ligjit është kyç për ambasadën holandeze në Kosovë sepse është kusht për zhvillim të qëndrueshëm e poashtu zbatimi i MSA-së me BE-në është kyç në këtë proces sepse ka ndryshime domethënëse në fushën politike dhe ekonomike në Kosovë”, tha ajo.

Sipas saj lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i integritetit në vendin e punës luan rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit. “Rreth 40% nuk dëshirojnë të flasin në institucionet publike për korrupsionin kjo tregon qartë frikën që kanë”, tha ajo duke shtuar se poashtu edhe mos raportimi i shkeljeve të rregullave është shqetësuese dhe duhet të raportohet sepse sipas saj tregon mosbesim.

Ambasadorja Willems potencoi faktin se ky raport është ndër të parët e këtij lloji që fokusohen në prizmin tjetër të problemit – dhe si i tillë do të hap debatin në një kontekst të ri të integritetit e korrupsionit. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)