Skenderaj nderon Ministrin Abrashi
Skenderaj, 13 nëntor - Sot, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, mori pjesë në një takim me qytetarë të Skenderajt, takim ky që u zhvillua me iniciativën e deputetes së zonës, Ganimete Musliu.
Në takim pati pyetje të shumta nga qytetarët e Skenderajt për çështje që i preokupojnë ata, si për ngritjen e ndihmës sociale, për banimin social me theks te familjet e dëshmorëve, për pensionet për dëshmorë, për aftësimin profesional, etj.
Takimi u zhvillua në Qendrën Rinore Publike të qytetit, me çrast ministri u njoftua me të rinj dhe nxënës të shkollës profesionale \"Qendra e Kompetences - Skenderaj\", të cilët i nxiti të shkollohen sa më shumë në këtë drejtim sepse Kosova gjithnjë e më shumë do të ketë nevojë për profesionistë të fushave dhe rrjedhimisht mundësitë për punësim do të jenë më të larta.
Në fund Qendra Rinore në Skenderaj dhe deputetja Ganimete Musliu e nderuan ministrin, Arban Abrashi, me një \"Falënderim për bashkëpunim në projektin Qendra dhe Deputeti/ja\", për çka ministri ishte shumë mirënjohës.