Skemi nevojë për Komisionin e Venedikut
Prishtinë, 6 janar - Ish-kryetari i Komisionit për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Haki Demolli, është shprehur kundër idesë së kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, që të ftohet Komisioni i Venedikut për përfundimin e reformës zgjedhore.
Demolli ka thënë për Epokën e re se një ftesë e tillë nuk është e nevojshme pasi gjatë hartimit të draftligjit për zgjedhjet ka qenë i përfshirë edhe faktori ndërkombëtar. Ai ka vlerësuar se me një ide të tillë Thaçi është duke tentuar ti zvarrisë procesin e reformës zgjedhore dhe zgjedhjet parlamentare.
Zvarritjet e reformës zgjedhore janë duke i bërë PDK-ja dhe lideri i saj. Që nga fillimi i reformës PDK-ja gjithmonë ka tentuar ta zvarrisë reformën, është shprehur Demolli.
Ai ka deklaruar se një ftesë e tillë është vetëm një lojë e radhës e kryetarit të PDK-së.
Për mendimin tim, kjo është një lojë e radhës e kryeministrit në raport me reformën zgjedhore. Si duket ai po i shfrytëzon të gjitha mundësitë për tu shmangur nga reforma e vërtetë zgjedhore. Fillimisht ai i ka shfrytëzuar mundësitë brenda ish-Komisionit për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor. Po ashtu, ai i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë në takimet joformale me liderët e partive politike.
Pra, duke përfshirë edhe takimet e fundit të cilat janë iniciuar nga ndërkombëtarët, kurse tani ai luan me letrën për ta ftuar Komisionin e Venedikut në mënyrë që ky komision ta japë mendimin e vet dhe ta hartojë ligjin zgjedhor për Kosovën, është shprehur Demolli.
Sipas Demollit, ideja e Thaçit nënkupton se në Kosovë nuk paska juristë të mirë të cilët do ta kryenin me profesionalizim reformën zgjedhore. Kjo është nënçmuese. Edhe kryeministri e di se këtu nuk është në pyetje profesionalizimi. Problemi qëndron diku tjetër, konkretisht te vullneti i brendshëm politik. Nëse liderët kanë vullnet politik, nuk do të kishte nevojë për një ftesë të tillë, ka deklaruar Demolli.