Ska interesim për rrëzimin e Qeverisë
Analisti politik Ardian Arifaj ka thënë të premten se partitë opozitare asnjëherë deri më tani nuk kanë qenë të afta për ti bashkërenduar veprimet e tyre në mënyrë që ta rrezikojnë seriozisht jetëgjatësinë e Qeverisë.
Kjo Qeveri ka jetuar deri më tani në masë të madhe duke iu falënderuar një opozite të përçarë dhe të paftë për ti bashkërenduar veprimet e veta. Opozita në Kosovë në këta katër vjet gati asnjëherë nuk ka qenë e aftë ti bashkërendojë veprimet e veta. Edhe pse shpeshherë matematika ka qenë në favor të opozitës, opozita asnjëherë nuk ka arritur të veprojë e bashkuar dhe me atë matematikë të arrijë ta rrezikojë Qeverinë, ka thënë Arifaj për Epokën e re.
Ndërkohë analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se te disa parti opozitare ka munguar vullneti të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk kanë qenë të sigurta se do të kalojnë mirë në zgjedhje.
Opinionet për rrëzimin e Qeverisë nuk kanë qenë të shumta, por sporadike, sepse nuk kishim opozitë të bashkuar as për çështje madhore. Te disa parti opozitare ka munguar vullneti që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk kanë qenë të sigurta se do të kalojnë mirë në zgjedhje."
"Megjithatë, edhe nëse nuk ka opozitë të mjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë, është e mundshme mundësia e dytë e vetërrëzimit të Qeverisë, sipas skenarit tashmë të njohur nga viti 2010, ka thënë Maliqi në një intervistë për Epokën e re.
Ndërsa nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, ka thënë se ata që po kërkojnë zgjedhje të parakohshme nuk kanë fuqi ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës.