S\'ka arsye që BE-ja të mos i liberalizojë vizat për kosovarë
Prishtinë, 14 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e ftuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, me kryetarët e komunave të Kosovës për trajtimin e procesit të përmbushjes së kritereve që lidhen me liberalizimin e vizave, procesin e kthimit dhe ri-integrimit të azilkërkuesve nga Kosova.
Në këtë takim me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.
Kryeministri Mustafa, gjatë takimit, ka vlerësuar përkushtimin dhe rezultatet e pushtetit lokal në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe proceset tjera eurointegruese.
Duke theksuar se pushteti lokal i ka përmbushur me përgjegjësi të madhe të gjitha kriteret dhe detyrimet që i ka pasur Kosova në liberalizimin e vizave, kryeministri Mustafa kërkoi vazhdimin e përkushtimit për përmbushjen e obligimeve të pushtetit lokal për proceset evropiane. Kthimi i njerëzve nga jashtë nuk përfundon me dhënien e rekomandimit për liberalizimin e vizave, por është një proces i cili do të vazhdoj edhe më tutje, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar rezultatet e arritura në kthimin dhe ri-integrimin e personave që kishin migruar në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015.
Ndërkaq, duke theksuar faktin se 60 % e qytetarëve që kanë migruar në atë kohë, po shprehin interesim që të kthehen vullnetarisht, kryeministri Mustafa tha se kosovarët e kuptojnë shumë mirë dhe pas liberalizimit të vizave, nuk do të bëjnë përpjekje për migrim në vendet e BE-së.
Unë jam shumë i bindur se kjo nuk do të ndodh. Liberalizimi është vetëm një e drejtë elementare të cilën duhet ta kenë edhe qytetarët tanë, që edhe ata të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian, e kurrsesi si e drejtë që ata të shkojnë dhe të kërkojnë të qëndrojnë atje. Sepse liberalizimi nuk është hapje e vendeve të punës, por është mundësi që njerëzit të shkollohen, të kenë mundësi të lëvizin, bizneset të mund të realizojnë të gjitha përparësitë që i mundëson tani edhe Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim, tha kryeministri.
Duke thënë se tashmë BE-ja nuk e ka asnjë arsye politike që Kosovës mos ti jap liberalizimin e vizave, kryeministri Mustafa shtoi se Qeveria e Kosovës zotohet që i ka kryer punët. Presim që Bashkimi Evropian të jetë korrekt ndaj nesh, i drejtë, parimor, ashtu siç janë zotuar, në mënyrë që edhe ne ta realizojmë këtë të drejtë. Ne jemi shumë falënderues për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, sepse është një hap shumë i madh marrëdhënieve tona kontraktuale me BE-në, mirëpo edhe marrëveshja nuk na vlen shumë nëse nuk kemi liberalizim të vizave, sepse bizneset tona nuk mund ti realizojnë të drejtat e tyre të komunikimit, të lëvizjes, por edhe të pjesëmarrjes në tregun e Bashkimit Evropian, tha kryeministri Isa Mustafa.