15 Janar 2025

Sindikata denoncon avancimet e paligjshme në misionet diplomatike

Prishtinë, 14 gusht - Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ), ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me veprimet brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të cilat sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe mos-diskriminimit të pjesëtarëve të shërbimit të jashtëm.

Që nga themelimi i saj, SHSASHJ ka zhvilluar aktivitetin e vet në përputhje me normat kushtetuese që garantojnë lirinë e organizimit sindikal, në Ligjin për Organizimin Sindikal dhe Statutin e saj.

"Duke u nisur edhe nga përvojat e organizimeve sindikale brenda shërbimeve të jashtme të vendeve të tjera, si dhe duke pasur për objektiv themelor mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetin e të punësuarve të MPJ-së, si dhe pengimin e degradimit të shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës ne, si organizim sindikal, në mënyrë të pareshtur, i kemi ngritur shqetësimet tona të shumta, në formë të shkruar tek udhëheqësit e MPJ-së, duke vënë theksin në një numër të madh shkeljesh serioze të legjislacionit në fuqi që kanë shoqëruar vendimmarrjen e Ministrit, si dhe menaxhmentit të MPJ-së", thuhet në një kumtesë të kësaj shoqate sindikale.

Aktiviteti i Shoqatës ka për qëllim pengimin dhe korrigjimin e këtyre parregullsive, si dhe dhënien e kontributit në ngritjen e kapaciteteve profesionale të MPJ-së dhe ndërtimin e një shërbimi të jashtëm sa më profesional, të paanshëm dhe efikas.

Në përputhje me natyrën specifike të shërbimit të jashtëm, si dhe me obligimet statutare dhe misionin e saj, SHSASHJ-ja ka identifikuar një numër të madh shkeljesh ligjore dhe praktika diskriminuese dhe abuzive, dhe, në të njëjtën kohë, ka kërkuar mënyra për t’i adresuar këto shqetësime legjitime të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm brenda MPJ-së.

Në një varg shkresash drejtuar krerëve të MPJ-së, SHSASHJ-ja ka evidentuar, konstatuar dhe bërë të njohura këto shkelje dhe, në të njëjtën kohë, ka kërkuar nga menaxhmenti dhe Ministri ndërmarrjen e veprimeve për ndaljen e praktikave të tilla dhe anulimin e veprimeve të kundërligjshme.

Përmes këtyre shkresave, ndër tjerash, SHSASHJ-ja ka denoncuar shkeljet ligjore në procesin e dhënies dhe ngritjes në grada diplomatike dhe konsullore, anashkalimin e kritereve ligjore në avancim në karrierë diplomatike, politizimin e skajshëm të shërbimit të jashtëm, emërimet joadekuate në misionet diplomatike konsullore, procesin e rotacionit nga misionet diplomatike/konsullore në MPJ dhe anasjelltas, transferimet në MPJ nga institucionet tjera, punësimet dhe avancimet duke anashkaluar kriteret e përcaktuara ligjore etj.

"Të qenit në lidhje familjare, miqësi personale apo përkatësi të njëjtë krahinore apo politike me menaxhmentin e MPJ-së, ose me ndonjë figurë të njohur nga sistemi gjyqësor, mediatik apo jeta publike përgjithësisht, është shndërruar në kriter dominues për punësime dhe avancim profesional në MPJ", thuhet në kumtesë.

SHSASHJ vëren me shqetësim të thellë se si po degradohet sistematikisht shërbimi i jashtëm i Republikës së Kosovës, nga logjika e tillë drejtuese.

"Përkundër insistimit të SHSASHJ-së, që nga momenti i themelimit të saj, për t’i adresuar shqetësimet në një takim me Ministrin, një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Ministri Hoxhaj dhe anëtarët e Kabinetit të tij nuk kanë gjykuar të nevojshme takimin me SHSASHJ, por kanë preferuar t’i takojnë individualisht anëtarë të SHSASHJ-së për t’iu bërë trysni që të largohen nga SHSASHJ ose për t’i joshur me oferta për avancime", thuhet në kumtesës e kësaj shoqate.

SHSASHJ-ja thotë se ka kundërshtuar dhe kundërshton fuqishëm format e tilla të presionit ndaj aktiviteteve të saja ligjore dhe legjitime.

"Në të njëjtën kohë, jemi dëshmitarë të faktit se Ministri dhe menaxhmenti i MPJ-së nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për eliminimin e paligjshmërive të cilat SHSASHJ-ja i ka evidentuar dhe konstatuar në shkresat e saj, por, përkundrazi, kanë intensifikuar këto praktika të jashtëligjshme", thuhet në kumtesë.
 
SHSASHJ-ja ka bërë po ashtu shkresa me kërkesën për pjesëmarrje të anëtarëve të SHSASHJ-në në cilësinë e vëzhguesve në Komisionet e Përzgjedhjes në Shërbimin Civil në MPJ, në Komisionin për Grada dhe Disiplinë, dhe komisionet tjera në kuadër të MPJ-së dhe ka denoncuar praktikat e gjertanishme të pengesave dhe mosgatishmërisë së menaxhmentit të MPJ-së, gjegjësisht të Sekretarit të Përgjithshëm, për të mos lejuar pjesëmarrjen e anëtarëve të SHSASHJ-në në cilësinë e vëzhguesve në këto komisione.

"Shqetësimet e SHSASHJ-së lidhur me pengesat për pjesëmarrje të anëtarëve të SHSASHJ-së në cilësinë e vëzhguesit në punën e deritashme të komisioneve në fjalë dhe shkeljeve ligjore i janë përsëritur Sekretarit të Përgjithshëm edhe gjatë një takimi të mbajtur me të më 28 korrik 2017", thuhet në kumtesë.

Sipas sindikatës, praktika e tillë e refuzimit të bashkëpunimit dhe obstruksionet e shfaqura ndaj punës së SHSASHJ-së kanë dëmtuar rëndë mbarëvajtjen e proceseve të gjithëmbarshme në shërbimin e jashtëm dhe një sjellje e tillë e krerëve të MPJ-së ka nënvlerësuar skajshmërisht gatishmërinë e SHSASHJ-së për kultivimin e partneritetit me menaxhmentin e MPJ-së dhe Ministrin, në drejtim të ngritjes së kapaciteteve, rritjes së profesionalizmit, transparencës dhe shmangies së praktikave të kundërligjshme, abuzive dhe diskriminuese në MPJ.
 
SHSASHJ u bën thirrje institucioneve përgjegjëse: Auditorit të Përgjithshëm, Avokatit të Popullit dhe Prokurorisë së Shtetit, që në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore, t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme që të ndërpriten praktikat e tilla diskriminuese dhe abuzive të cilat kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë në vazhdimësi imazhin e MPJ-së dhe Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)