Şimşek: Suksesi i Kosovës është edhe sukses i Turqisë
Prishtinë, 10 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion nga Turqia, i kryesuar nga ministri i financave, Mehmet Şimşek.
Presidentja Jahjaga tha se takimi i sotëm ka simbolikën e vet, pasi që po zhvillohet në një ditë shumë të rëndësishme për Kosovën, në ditën e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka dëshmuar se është kontribuues i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Ajo theksoi se edhe pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë mbesin sfida, për tejkalimin e të cilave Republika e Kosovës ka nevojë për mbështetjen e mëtutjeshme të miqve të saj, e sidomos të Turqisë, e cila me dekada ka përkrahur Kosovën në të gjitha momentet kyçe, duke ofruar ndihmë, jo vetëm politike, por edhe ekonomike e ushtarake.
Ministri i Financave të Turqisë, Mehmet Şimşek, përgëzoi presidenten Jahjaga për të arriturat në Kosovë, për ndërtimin e institucioneve demokratike, sundimin e rendit dhe ligjit dhe për krijimin e shtetit funksional shumetnik.
Şimşek, nënvizoi se suksesi i Kosovës është edhe sukses i Turqisë, duke pasur parasysh marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.
Ministri i Financave të Turqisë, Mehmet Şimşek, konfirmoi se Turqia do të vazhdojë edhe në të ardhmen mbështetjen e fuqishme për Kosovën në veçanti në sferën e lobimit tek shtetet e Lindjes së Mesme.