Shumica e komunave shkojnë në balotazh
Prishtinë, 4 nëntor - Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka publikuar rezultatet preliminare nga komunat e Republikës së Kosovës pa përfshirë pjesën veriore.
Në Prishtinë sipas KQZ-së aktualisht po udhëheq Isa Mustafa me 48.67 për qind, ndërkaq pasohet nga Shpend Ahmeti me 25.24 dhe Agim Çeku me 12.01 % të votave.
Në Prizren ndërkaq po udhëheq Ramadan Muja me 40.46%, kurse kandidati i LDK-së, Eqrem Kryeziu e ndjek me 24.32%, në Gjakovë Mimoza Kusari-Lila e AKR-së po udhëheq me 40.48% të votave, ndërsa pasohet nga Pal Lekaj i AAK-së me 43.15.
Në Pejë, sipas votave deri tash të numëruara po udhëheq Gazmend Muhaxheri i LDK-së me 42.43 % dhe pasohet nga ai i AAK-së, Ali Berisha me 37.48 %, në Gjilan ndërkaq tash për tash po udhëheq Lutfi Haziri i LDK-së me 36.39 për qind të votave, kurse Qemajl Mustafa i PDK-së ka 31.70% të votave, këto janë nga disa komuna të Kosovës.
Në Deçan prinë Rasim Selmanj i AAK-së me 37.62, pasuar nga ai i LDK-së Blerim Bajraktaraj me 17.35 për qind. Në Drenas Nexhat Demaku me 56.83 pçr qind, pasuar nga Izet Ibrahimi nga IQPD me 27.86 për qind, këto janë rezultatet e disa komunave të vendit.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së Shumica e komunave më të mëdha të Kosovës pritet t'i nënshtrohen garës së balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e rinj.
Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (të publikuara online) kanë nxjerr si përfundim vazhdimin e garës për kryetar në komunat si Prishtina, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjilani, Malisheva, Suhareka, Rahoveci e komuna tjera.
Në Prishtinë, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet kandidatit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti.
Në Gjakovë, Mimoza Kusari Lila e Aleancës Kosova e Re do të jetë në balotazh me Pal Lekajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Një garë interesante pritet edhe në Prizren, ndërmjet kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu.
Në Pejë, ndërkaq, sipas rezultateve preliminare, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet Gazmend Muhaxherit të LDK-së dhe Ali Berishës së AAK-së.
Balotazhit, pritet ti nënshtrohen edhe kandidatët për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri i LDK-së dhe Qemajl Mustafa i PDK-së.
Edhe për Mitrovicën e Jugut, pritet të ketë balotazh ndërmjet kandidatit të PDK-së, Avni Kastrati dhe atij të AKR-së, Agim Bahtiri.
As komuna e Ferizajt nuk ka zgjedhur në raundin e parë kryetarin. Për të parin e Ferizajt, votuesit e kësaj komune do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatin e PDK-së, Agim Aliu dhe atë të LDK-së, Muharrem Svarça.
Po ashtu, balotazh, pritet të ketë edhe në Malishevë, ku ndërmjet kandidatit, Ragip Begaj nga iniciativa qytetare për Malishevën dhe Sali Morina nga LDK-ja.
Edhe Rahoveci, pritet të shkoj në balotazh me kandidatët, Idriz Vehapi i PDK-së dhe Smajl Latifi i AAK-së.
Gara e balotazhit për kryetarët e komunave pritet të zhvillohet më 1 dhjetor.