22 Dhjetor 2024

Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe do të a

Prishtinë, 19 tetor - Gjatë një vizite në Prishtinë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha sot se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe do të angazhohen për ta bërë këtë realitet, ndërsa nënvizoi rëndësinë e bisedimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ai u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Zoti Escobar u takua edhe me udhëheqësit e partive politike në opozitë.

Escobar tha se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është thellimi i bashkëpunimit me një vend mik shumë të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

“Është një miqësi dhe partneritet që mbështetet jo vetëm në interesin e përbashkët, por në vlerat e përbashkëta dhe në këtë drejtim dëshiroja t'i shpreh presidentes mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratën euroatlantike të Kosovës. Unë i falënderoj për solidaritetin e tyre në kohën e krizës në Evropë dhe nevojën për të kërkuar mënyra për të thelluar këtë partneritet duke përfshirë mbështetjen tonë për përfshirjen e Kosovës në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai në një konferencë me gazetarë së bashku me presidenten Vjosa Osmani, gjatë së cilës nuk u lejuan pyetje.

Zoti Escobar, i cili të enjten do të qëndrojë në Beograd, theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Diskutuam edhe për çështjen e marrëdhënieve me Serbinë, ndikimet rajonale të këtij dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj, dhe rëndësinë që të rreshtoheni me vlerat evropiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize në kontinentin evropian”, tha zoti Escobar.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës theksuan siç thanë përkushtimin e tyre në dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Kam ritheksuar se Kosova është dhe gjithnjë ka qenë pala konstruktive në këtë proces e po ashtu është e gatshme ta rrisë edhe më shumë angazhimin gatishmërinë e saj në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut. Shfrytëzova po ashtu rastin për ta shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë dhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që japim, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e SHBA-ve në këtë proces”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)