19 Janar 2025

Shqyrtohet Rezoluta e Parlamentit Evropian

Prishtinë, 12 shkurt - Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Rezolutën e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit evropian të Kosovës të datës 16 janar, 2014.


Anëtarët e këtij komisioni kanë vlerësuar se në këtë rezolutë vërehet një pasqyrim më i saktë nga Parlamenti Evropian  i të  arriturave të  Kosovës, i shoqëruar edhe kësaj radhe me klishe dhe stereotipe për zhvillimet në vendit tonë.


Anëtari i Komisionit, Skender Hyseni, ka shfaqur keqardhje për faktin që fusnota për Kosovën  jo vetëm që nuk është hequr, por ajo në Rezolutën e PE-së shoqërohet madje me konstruktin serb për  “pavarësinë e shpallur njëanshëm”, duke e deformuar kështu opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.


Edhe  Hydajet Hyseni ka konstatuar se fusnota është e shpërndarë në gjithë Rezolutën, duke pohuar se ka tendenca që ajo të fillojë të përfshihet edhe në legjislacionin e Kosovës.
Enis Kervan, por edhe anëtarët e tjerë të Komisionit nga radhët e  pakicave: Emilia Rexhepi dhe Hamza Balje, kanë theksuar se edhe në këtë rezolutë të PE-së, e gjithë vëmendja përqendrohet tek komuniteti serb në Kosovë,  duke përmendur fare pak komunitetet e tjera pakicë, të cilat janë integruar në mënyrën më të mirë në shoqërinë e Kosovës.
Donika Kadaj-Bujupi, ndërkaq, pasi ka përmendur disa pasaktësi në pasqyrimin e të arriturave në Kosovë, ka përshëndetur qëndrimin e PE-së në këtë rezolutë për kthimin nga Serbia të mbetjeve mortore të qytetarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe.
Qëndrimet nga ky takim do t’i shërbejnë kryetarit të Komisionit gjatë vizitës që do ta ketë javën e ardhshme në Bruksel, si dhe do të përmblidhen në një letër të Komisionit për Punë të Jashtme, që do t’i drejtohet Parlamentit Evropian, Komisionit për Punë të Jashtme të PE-së, si dhe raportuesve për Kosovën.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)