23 Janar 2025

Shqyrtohet Projektligjin për ndryshimin për ndërmarrjet publike

Prishtinë, 13 shkurt - Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e nisur dje, ka vazhduar edhe sot . Në këtë mbledhje, deputetët shqyrtuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Blerand Stavileci.

Ai tha se ministria që ai udhëheqë, ka për qëllim krijimin e kushteve për zhvillim sa më të madh ekonomik. Në funksion të kësaj, tha në vijim ministri, është edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike. Po ashtu, ai sqaroi se me këtë projektligj synohet krijimi i bazës juridike për ndërmarrjen \"Trepça\".

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, foli deputeti, Besim Beqaj. Ai tha se GP i PDK-së, e përkrah projektligjin, ndërsa kërkoi që neni 11. 3,(e që ka të bëjë me rolin e komunave në ndërmarrjet publike), të riformulohet. Në ndërmarrjet me rëndësi të veçantë, tha Beqaj, roli i komunave duhet të jetë i kufizuar. Komunat, vlerësoi ai, mund të kenë ndikim vetëm në ndërmarrjet që kanë karakter komunal, e jo edhe në ato të interesit nacional.

Në emër të GP të LDK-së, si dhe në emër të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, foli deputeti, Muhamet Mustafa. Ai u shpreh se projektligji ndikon në shfrytëzimin racional të resurseve ekonomike të vendit, ndërsa vlerësoi se duhet të riformulohet neni 11.3 i projektligjit, në mënyrë që roli i komunave të precizohet më qartë.

Qëndrimin e VV-së, e paraqiti deputeti, Visar Ymeri. Ai kritikoi Qeverinë për, siç tha ai, heqjen dorë nga ideja fillestare lidhur me ndërmarrjet publike. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte sikur ndërmarrja \"Trepça\" të shndërrohet në ndërmarrje publike. Sa i përket projektligjit, Ymeri propozoi që nga ai të hiqet neni 11. 3.

Në emër të GP të AAK-së, foli deputeti, Pal Lekaj, i cili këtë projektligj e vlerësoi shumë të dëmshëm për vendin. Sipas tij, nenet e këtij projektligji fuqizojnë shumë rolin e komunave, ndërsa do të pamundësojë zhvillimin ekonomi të vendit.

Deputeti Fatmir Limaj, duke folur në emër të NISMA-s, u shpreh se me një dialog të brendshëm në mes të grupeve parlamentare, mund të gjendet një zgjedhje më e mirë për ndërmarrjet publike. Edhe ky vlerësoi se neni 3 pika 11.3 duhet hequr nga projektligji.

Në favor të projektligjit, ndërkaq, është shprehur përfaqësuesja e GP 6+, Duda Balje.

Për projektligjin foli edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa. Në fjalën e tij ai tha se me këtë projektligj synohet të arrihen dy objektiva. Së pari, të sigurohet një e ardhme zhvillimore për ndërmarrjen \"Trepça\" dhe së dyti, që disa nga ndërmarrjet, të hiqen nga autoriteti menaxhues i AKP-së. Kryeministri bëri thirrje për një bashkëpunim sa më të mirë në mes grupeve parlamentare, si rrugë e vetme e miratimit të një ligji adekuat për ndërmarrjet publike.

Gjatë debatit lidhur me këtë projektligj, foli edhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami. Ajo vlerësoi se projektligji i propozuar është zgjidhja më e mirë që rregullon këtë fushë, ndërsa u distancua nga deklarimet e deputetit, Glauk Konjufca e Ramush Haradinaj, të cilët në paraqitjen e tyre, paralajmëruan protesta.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)