29 Prill 2024

Shqyrtohet projektligji për qendrën historike të Prizrenit

Prishtinë, 3 shkurt - Në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Nait Hasani, u shqyrtua Projektligji për qendrën historike të Prizrenit.

Me këtë rast kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani,  tha se deri më tani janë amendamentuar dhe shqyrtuar katër kapituj të këtij ligji, por kapitulli i tretë i këtij projektligji është njëri nga kapitujt më të ndjeshëm të Projektligjit për qendrën historike të Prizrenit.

Ai më tej tha se me një vullnet dhe gatishmëri të komisionit parlamentar dhe të MMPH-së, do të gjejnë zgjidhje të përbashkët, në mënyrë që ligji të jetë i shfrytëzueshëm, i zbatueshëm dhe pozitiv për qytetarët e Prizrenit.

Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit shqyrtuan nenin 16 të këtij projektligji, që ka të bëjë për Këshillin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit. Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit rreth këtij neni,  u tha se neni 16 është pika më diskriminuese në këtë projektligj, duke supozuar se mund të ketë çështje antikushtetuese.

Më tej u theksua se vendimi i Presidentes së Kosovës është që të përfshihen edhe kultet tjera fetare.

Në këtë takim mori pjesë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i cili dha sqarime të shumta para anëtarëve të komisionit, ndërsa theksoi se në kreun e tretë të projektligjit ka disa propozime për ndryshime, të cilat janë më shumë çështje teknike.

Sa i përket këshillit në përgjithësi dhe përfaqësimit në këtë këshill, ministri Gashi tha se Qeveria konsideron se ky ligj ka dalë nga Pakoja e Ahtisarit, andaj duhet t’i përmbahet pakos.

Në këtë rast, shtoi ministri Gashi, përfaqësimi i Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, ka qenë njëri nga kushtet themelore, ndërsa më vonë është vendosur që pjesë e kësaj të jetë edhe Bashkësia Islame dhe Kisha Katolike, për ta krijuar këtë baraspeshë.

Më tej ai tha se Qeveria nuk do të jetë kundër as ndaj vendimit të Presidentes së Kosovës që pjesë e ligjit të jenë edhe bashkësitë tjera fetare.
Anëtarët e Komisionit unanimisht u dakorduan që në nenin 16 të këtij projektligji të mos jetë Kisha ortodokse serbe në Kosovë, por vetëm Kisha Ortodokse.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)