Shqyrtohen modalitetet që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë se OSBE
Prishtinë, 22 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot delegacionin e parlamentarëve italianë të Asamblesë së OSBE-së, të kryesuar nga Riccardo Migliori, president i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Me këtë rast delegacioni falënderoi kryetarin për pritjen e ngrohtë, duke i përcjellë njëkohësisht kryekuvendarit edhe përshëndetjet e homologut italian Gjanfranko Fini.
Anëtarët e delegacionit treguan interesim që marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit të Italisë dhe Kuvendit të Kosovës të intensifikohen, duke u angazhuar edhe për formimin e grupit të miqësisë në mes dy parlamenteve.
Delegacioni italian theksoi se është duke shqyrtuar modalitetet që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Në këtë frymë u shtrua nevoja që Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës të krijojë një grup pune për vendosjen e marrëdhënieve të vazhdueshme me OSBE-në, me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit të Kosovës.
Në vijim delegacioni italian diskutoi edhe për çështjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, të cilat do të mbaheshin nën mbikëqyrjen e OSBE-së.
Kryekuvendari Krasniqi falënderoi delegacionin për këtë vizitë që po i bën Kosovës, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Parlamentit të Italisë dhe Kuvendit të Kosovës, por edhe ndërmjet institucioneve të tjera të të dy vendeve.
Në fjalën e tij, kryekuvendari Krasniqi theksoi se Kosova vazhdimisht ka bërë kompromise që nga Rambujeja e deri në bisedimet e Brukselit, ndërkaq, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për implementimin e marrëveshjeve të arritura.
Kreu i legjislativit të vendit ngriti pastaj çështjen e të zhdukurve, e cila ende është e pazgjidhur, pasi Serbia nuk po bën asgjë në këtë drejtim.
Ndërkaq, duke i bërë një vështrim zhvillimit ekonomik të Kosovës, ai tha: Ekonomia që sot kemi në Kosovë është edhe si pasojë shfrytëzimit, por edhe shkatërrimit të saj nga Serbia gjatë luftës.
Në vazhdim kryekuvendari Krasniqi tha:Serbia ka bërë ndërhyrje të rëndë në veri të Kosovës, ndërsa zgjedhjet serbe çfarëdo qofshin ato, lokale ose parlamentare, janë të papranueshme për Kosovën.
Kryetari i Kuvendit Krasniqi kërkoi që parlamentarët italianë të ndikojnë, që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Gjithashtu, Krasniqi tha se shumë shpejt do të formohet Grupi i Miqësisë Kosovë-Itali.