Shqiptaro-amerikanët mbështetës të fuqishëm të shtetndërtimit
Prishtinë, 24 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj priti sot në takim drejtorin ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafaj.
Në këtë takim është diskutuar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet kësaj shoqate dhe MPJ-së, me qëllim të forcimit të marrëdhënieve të shenjta ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka falënderuar shqiptarët në Amerikë për kontributin e tyre të paharrueshëm dikur për lirinë, për pavarësinë, ndërsa sot për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Shqiptarët në Amerikë ishin ambasadorët e parë të Kosovës që denoncuan dhunën mbi popullin shqiptar në Kosovë, që ndihmuan luftën çlirimtare, që ndihmuan shpalljen e pavarësinë, derisa sot janë mbështetës të fuqishëm të shtetndërtimit, tha ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka shtuar se Qeveria e Kosovës edhe më tutje do të mbështesë Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafaj, ka falënderuar ministrin Hoxhaj dhe është zotuar se do të vazhdojnë të jenë një zë i fuqishëm i Kosovës në të gjitha institucionet e shtetit amerikan.