Shqiptarët sot festojnë 28 nëntorin
Prishtinë, 28 nëntor - Shqiptarët në të gjitha trevat ku jetojnë sot festojnë 28 nëntorin ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të pjesëtarëve të UÇK-së.
Me rastin e këtyre datave të shënuara të historisë sonë anekënd trojeve shqiptare do të organizohen manifestime të shumta.
Kjo festë në Kosovë nuk do të jetë festë shtetërore, pasi institucionet e Kosovës me ligj e kanë përkufizuar 28 Nëntorin si festë memoriale, ndërsa nuk kanë organizuar asnjë manifestim.
Ndërkohë, disa organizata joqeveritare në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, me rastin e Ditës së Flamurit do të organizojnë festë dhe protestë njëkohësisht, pas siç thonë ata tendencave për shkombëtarizimin e shqiptarëve.
Shqipëria feston sot 99 vjetorin e Pavarësisë
Me rastin e kësaj dite janë planifikuar një sërë aktivitetesh, ndërsa epiqendra e festimit pritet të jetë dhe qyteti i Vlorës, aty ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin e pavarësisë.
Si sot 99-vjet më parë, delegatë nga e gjithë Shqipëria, mbërritën në Vlorë ku e shpallën pavarësinë, në ditën që në histori njihet si Dita e Flamurit.
Sot Festa e Flamurit festohet kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në botë.
Edhe një vit mbushet një shekull nga akti më i rëndësishëm i historisë së kombit shqiptar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, duke kurorëzuar përpjekjet e parreshtura të popullit tonë për liri dhe mëvetësi.
Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, Festa e Flamurit, është ngjarje e rrënjosur thellë në kujtesën historike të kombit shqiptar, që ngjall ndjenjat e krenarisë, frymëzimit dhe rrit vetëdijen politike, kulturore dhe demokratike tek shqiptarët kudo që jetojnë.
Festa e Flamurit ishte një ndër ngjarjet që ka frymëzuar breza të tërë në përpjekjet për liri dhe çlirim të Kosovës, luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, arritjen e lirisë dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.