17 Maj 2024

Shqiptarët festojnë 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Prishtinë, 28 nëntor - I gjithë kombi shqiptar në të gjitha trojet ku jetojnë sot festojn 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë - Diten e Flamurit.

Përveç ditës së 28 nëntorit, shpalljes së pavarësisë, kjo datë përkon edhe me daljen e UÇK-së dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari. 
 
Me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, lider vendor e ndërkombetar kanë uruar kombin shqiptar për këtë festë.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka uruar shqiptarët për jubileun e 100 vjetorit e Pavarësisë dhe ka shprehur dhe njëherë nevojën që politika shqiptare të miratojë reformat dhe garantojë zgjedhje të lira.

"Në emër të Presidentit amerikan Barack Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara, Clinton u dërgoj urimet më të mira për popullin shqiptar për 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë. Derisa festoni me familjet dhe të dashurit tuaj, duhet ta dini se Shtetet e Bashkuara janë partner dhe mik dhe ne dëshirojmë të ardhme të vazhdimit të miqësisë dhe bashkëpunimit”, përfundon deklarata e zonjës Clinton.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ka thënë se në këtë 100 vjetor, me pietet nderojmë sakrificën dhe punën e të gjithë brezave, vlerësojmë angazhimin tonë të përbashkët dhe bëjmë hapin përpara, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, si dy shtete sovrane dhe të pavarura, drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.. 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, iu drejtua me një mesazh të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Mal të Zi e diasporë.

Duke i përgëzuar për këtë jubile të rëndësisë së veçantë, ai përkujton përpjekjet mbinjerëzore të shqiptarëve që nga periudha e Rilindjes, të cilat reflektuan fuqishëm në ngritjen kulminante të vetëdijes kulturore e shtetformuese, që sollën pavarësinë e Shqipërisë.

Megjithëse të ndarë dhunshëm e padrejtësisht nga trualli i tyre, shqiptarët nuk ndalën përpjekjet e tyre drejt lirisë.

"Me vullnet të çeliktë e me sakrifica të pashembullta, u arrit çlirimi i Kosovës duke e shpallur  shtet të pavarur dhe sovran. Ishte lufta e pakursyer e UÇK-ës, udhëhequr nga komandanti  dhe trimi i paepur Adem Jashari, i cili u flijua me tre brezat e kësaj familjeje ,  që ndërroi njëherë e përgjithmonë rrjedhën e historisë për shqiptarët", ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Kryeministri, Hashim Thaçi në urimin e tij drejtuar ka thënë se njëqind vjet të pavarësisë së Shqipërisë,  trembëdhjetë vjet të lirisë dhe pesë vjet të pavarësisë së Kosovës kanë kaluar nëpër një histori sa të ndërlikuar aq edhe të ndritur.

"Për të ardhur deri tek pozicioni i sotëm politik, gjenerata të tëra kanë dhënë kontributi të jashtëzakonshëm në përpjekje të pareshtura për liri, emancipim, çlirim dhe shtetndërtim", ka thënë kryeministri Thaçi.

Shqiptarët kudo që jetojnë sipas tij shprehin mirënjohje për shtetet e demokracive të fuqishme botërore, në krye me Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian që kontribuan në jetësimin e idealeve të popullit tonë, që përkrahën vullnetin dhe idealet e qytetarëve tanë në momente të caktuara historike.

Lëvizja Vetëvendosje! në urim thekson se kjo ditë është paraprirë nga festime e nga aktivitete të shumta, ndërkohë që trevat ku historikisht banojnë shqiptarët, janë dekoruar me flamuj kombëtarë, gjë që tregon edhe një herë dëshirën që kanë shqiptarët për të qenë bashkë, si një popull i barabartë me popujt e tjerë. 

“Ndër shekuj shqiptarëve iu janë ofruar identitete të reja, simbole të reja, gjuhë të reja, me kusht që të harronin identitetin e tyre, simbolet e tyre, gjuhën e tyre. Por nuk u bënë turq, as serbë, as grekë, as italianë e as gjermanë. Dhe as sot nuk do të lejojmë që të na bëjnë diçka tjetër”, theksohet në urimin e Vetëvendosjes.

Nën atmosferën e madhe festive të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ua përcjellë urimet më të përzemërta dhe ndan emocionin festiv me shqiptarët kudo që janë.

"Në këtë ditë të shënuar, në këtë 28 Nëntor, shqiptarët janë në pozicionin më të favorshëm dhe më të fuqishëm historik. Shqipëria është tashmë pjesë e NATO-s dhe shumë shpejt pritet të jetë anëtare e BE-së. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike. Gjithashtu, shqiptarët në Maqedoni janë tashmë faktor shtetformues, e në rrugë të mbarë janë edhe shqiptarët në trevat tjera etnike", thuhet në urimin e AAK-së.

Nderkaq kryetari i LDK-ës, Isa Mustafa, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ka thënë se 28 Nëntori i mbetet dita më e ndritshme e historisë së shqiptarëve dhe Shqipëria, në këtë 100 vjetor po hyn si shtet demokratik dhe i integruar në strukturat euro-atlantike.

“Dita e 28 Nëntorit të 1912 shënon ditën më të ndritshme të historisë shqiptare e shekullit 20-të. Kjo ditë shënon fillimin e kthimit të Shqipërisë në gjirin e familjeve europerëndimore. Pavarësia e Shqipërisë u pagua me një tagër shumë të lartë, pasi që ajo nuk arriti t’i përfshinte në të njëjtin pullaz shqiptarët e shpërndarë kudo në Ballkan”, tha Mustafa.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)