Shqipëria përkrah anëtarësimin e Kosovës në nismat ndërkombëtare
Prishtinë, 14 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim ministrin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin bisedoi për proceset nëpër të cilat po kalojnë të dyja vendet, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe ndihmën që mund ti japin njëra tjetrës në procesin e përafrimit me BE-në.
Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fusha të ndryshme dhe vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve shërbejnë si shembull për rajonin.
Presidentja Jahjaga theksoi që i gjithë rajoni i Ballkanit ka hyrë në një fazë të re të integrimit dhe bashkëpunimit fqinjësor dhe Kosova e Shqipëria, si faktorë paqeje dhe stabiliteti luajnë një rol të rëndësishëm në rajon. Presidentja Jahjaga tha se të dyja vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe posaçërisht në procesin e integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga tha se viti 2014 është i një rëndësie të veçantë për realizimin e vizionit për një Kosovë të qëndrueshme dhe të vendosur për të ndërmarrë të gjitha reformat që e përafrojnë me qëllimin parësor të integrimit euro-atlantik.
Ajo tha se Kosova i ka edhe dy procese të rëndësisë së veçantë për përmbylljen e konsolidimit shtetëror dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar: procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, në veçanti shtimin e njohjeve dhe themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, zotëri Ditmir Bushati shprehu përkushtimin e vendit të tij për të intensifikuar marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e ekonomisë.
Ai tha se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.