19 Janar 2025

Shqipëria mbështet Kosovën në rrugën e integrimit evropian

Prishtinë, 4 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit: Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Glauk Konjufca dhe Albert Kinolli, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, priti sot në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në vizitën e tij të parë zyrtare në këtë cilësi.

Shfrytëzimi i hapësirës së krijuar viteve të fundit, për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha fushat, përkatësisht, konkretizimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi ndërmjet dy parlamenteve respektive, me theks të veçantë në harmonizimin e legjislacionit, ishte temë bosht e këtij takimi.

Duke i uruar kreut të Kuvendit të Shqipërisë mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryeparlamentari Krasniqi çmoi lart marrëdhëniet e deritashme ndërmjet dy vendeve, përkatësisht ndërmjet parlamenteve dhe avancimin e tyre gjatë viteve, por shtoi se ka rrugë dhe mundësi të tjera, për ta rritur më tej këtë bashkëpunim.

“Si kuvende, do t’i mbështesim të gjitha angazhimet dhe aktivitetet e dy qeverive tona, që kanë për qëllim krijimin e një hapësire të përbashkët në të gjitha fushat”, theksoi kryetari Krasniqi.  
 
Kreu i Kuvendit të Kosovës e njoftoi kryeparlamentarin Meta edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rreth saj, me punën në procesin e liberalizimit të vizave, përpjekjet për njohje të reja dhe anëtarësim në një varg organizatash ndërkombëtare. Në këtë drejtim, kryetari Krasniqi i konsideroi shumë të rëndësishme sinjalet për njohje të Kosovës nga disa vende të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë bërë ketë hap.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë në cilësi të të parit të Kuvendit shqiptar, e konsideroi një mundësi për të kontribuar më shumë në forcimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve që tashmë të dy shtetet kultivojnë ndërmjet tyre.

“Jemi këtu për të shprehur vullnetin tonë të plotë, për të çuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy kuvendeve, si një kontribut i domosdoshëm në rritjen e marrëdhënieve tejet të rëndësishme dhe strategjike, midis Shqipërisë dhe Kosovës, jo vetëm për të forcuar paqen dhe stabilitetin e tërë rajonit tonë, por njëkohësisht edhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë”, tha kryeparlamentari Meta.

Ai tha se Kosova dhe qytetarët e saj kanë një rëndësi tepër të veçantë për Shqipërinë, rëndësi kjo që, sipas tij, nuk ka të bëjë vetëm me domethënien historike dhe emocionale, por edhe me perspektivën evropiane të të dy vendeve tona.

Duke ofruar mbështetje për përparimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, Meta theksoi rëndësinë e shpërbërjes së shpejtë e të plotë të të gjitha strukturave ilegale që veprojnë në Kosovë dhe të integrimit të plotë të komunitetit serb në jetën institucionale të Kosovës. Pasi garantoi vazhdimin e mbështetjen së Tiranës zyrtare për Kuvendin e Kosovës dhe popullin e saj në rrugën e integrimit evropian, si dhe në afirmimin e shtetit të Kosovës, Meta shfaqi shpresën për liberalizim të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.
 
Sa i përket çështjes së tribunalit, kryeparlamentari Krasniqi tha se në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka një dokument zyrtar lidhur me këtë. Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta, vlerësoi se populli i Kosovës nuk ka sulmuar askënd, por ka bërë luftë të drejtë të imponuar. Në këtë funksion, ai paralajmëroi se më 16 prill në Kukës do të shënohet 15-vjetori i eksodit të popullit të Kosovës në Shqipëri, në përkujtim të rreth 1 milion shqiptarëve të depërtuar me dhunë nga regjimi i Beogradit. 

Gjatë këtij takimi, kryeparlamentari Meta shoqërohej nga deputetët e parlamentit shqiptar: Gramoz Ruçi, Shpëtim Idrizi dhe Luan Rama, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)