Shqipëria dhe Kosova të mbojnë shqiptarët në Mal të Zi dhe Serbi
Ulqin, 2 shkurt - Shqiptarët e Malit të Zi kanë protestuar për shkeljen e të drejtave të tyre nga institucionet shtetërore dhe lokale në këtë vend.
Në këtë protestë ku morën pjesë partitë shqiptare të Plavës dhe Gucisë, ata kanë paraqitur 7 kërkesa kryesore.
Gjatë protestës ku u lëshuan thirrje, Shqipëri Etnike, përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi kanë kërkuar nga Shqipëria dhe Kosova që të merren seriozisht me popullin e tyre në Mal të Zi dhe Serbi.
Gjithashtu ata i kanë bërë apel faktorit ndërkombëtar që të shfrytëzojë ndikimin e vet tek institucionet e Malit të Zi, kundër shkeljes së të drejtave të shqiptarëve pasi nuk mund të arrihet anëtarësimi në BE në këtë mënyrë.
Kërkesat:
1. Kuvendit Komunal i Plavës të shfuqizojë vendimin antikushtetues të aprovuar më 23 nëntor 2012.
2. Gjykata Kushtetuese të respektojë Kushtetutën dhe të anulojë vendimin e Kuvendit Komunal të Plavës, të datës 23 nëntor 2012.
3. Kuvendi Komunal në asnjë mënyrë mos t\'i miratojë rezultatet e Referendumit për statusin e komunës së Gucisë, për shkak të shkeljes së procedurës zgjedhore.
4. Ministria e Punëve të Brendshme ta anulojë vendimin nr. 011/12-2279 të datës 29 tetor 2012, në bazë të ankesës së subjekteve politikë të Plavës dhe Gucisë, në lidhje më elaboratin për arsyeshmërinë ekonomike të komunës së Gucisë.
5. Ftohen boshnjakët që të mos i përkrahin iniciativat e disa individëve për ndarje dhe përçarje, duke pas parasysh të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e përbashkët.
6. I bëhet apel faktorit ndërkombëtar që të shfrytëzojë ndikimin e vet tek institucionet e Malit të Zi, kundër shkeljes së të drejtave tona, përndryshe integrimi i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian do të mbetet në një rrugë qorre .
7. Ftohet Tirana dhe Prishtina zyrtare që të merren më seriozisht më problemet e popullit të vet në Serbi dhe në Malin e Zi.