Shqipëri: Lirimi i Haradinajt, tjetër sukses për shqiptarët
Tiranë, 29 nëntor - Edhe Shqipëria e priti me gëzim pafajësinë që i njohu Gjykata e Hagës kryetarit të AAK-së dhe ish-komandantit të UCK-së Ramush Haradinaj. Kryeministri Sali Berisha e ftoi menjëherë në Shqipëri zotin Haradinaj ndërkohë që përgëzime shprehën kryetari i opozitës Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta.
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e ish- komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj.
Lirimi i Ramush Haradinajt ishte lajmi më i gëzuar që më erdhi mua dhe gjithë shqiptarëve këtë ditë. Pafajësia e Ramush Hardinajt, ish-komadant i UÇK dhe luftëtarit për liri, që ndihmoi shumë njerëz nga barbaritë, është triumf i drejtësisë ndërkombëtare. Nuk kam pasur kurrë dyshim tek drejtësia dhe pafajësia e z. Haradinaj. Shfrytëzoj rastin ta ftoj në Shqipëri të festojmë së bashku këtë ditë të madhe, këtë vit të madh. Përpjekjet për të simetrizuar gjëra jo simetrike kanë marrë përgjigjen e duhur nga gjykata ndërkombëtare, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta përshëndeti vendimin e Hagës për lirimin e ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj. Sipas Metës, ky vendim i Gjykatës së Hagës është një tjetër sukses i përpjekjeve të popullit shqiptar në afirmimin e tij.
Heroi i gjallë i UCK-së Ramush Haradinaj, ka fituar për herë të dytë pavarësinë duke shënuar një arritje, sukses tjetër të përpjekjeve të popullit shqiptar, aq më tepër kur kjo ndodh një ditë pas 100-vjetorit të pavarësisë, deklaroi Meta.
Edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konsideron një moment të jashtëzakonshëm lirimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas Ramës, qysh prej sot të gjitha hijet e hedhura nga keqdashësit mbi lavdinë e UÇK-së dhe heroiken e luftëtarëve të saj janë fashitur një herë e përgjithmonë.