Shpërndahen pasaportat e para në Ambasadat e Kosovës
Prishtinë, 30 korrik - Gjatë kësaj jave, Misionet Konsullore të Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë dhe në Konfederatën e Zvicrës kanë lëshuar pasaportat e para të Republikës së Kosovës për shtetasit e Kosovës që jetojnë në këto vende dhe kanë përmbushur kushtet për aplikim për pasaportë në Misionet Konsullore të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme njofton edhe një herë të gjithë shtetasit kosovarë që jetojnë jashtë se aplikimi për pasaportë të Republikës së Kosovës në misionet diplomatike/konsullore mundësohet vetëm për kategorinë e shtetasve që janë pajisur paraprakisht me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.
Aktualisht një shërbim i tillë mund të realizohet në 21 prej 25 misioneve diplomatike/konsullore të Republikës së Kosovës.