Shpend Ahmeti vizitë zyrtare në Lubjanë
Prishtinë, 25 shtator - Me ftesë të Kryetarit të qytetit të Lubjanës, Zoran Jankoviq, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë.
Duke marrë parasysh faktin se gjatë këtij viti Lubjana ka fituar çmimin Kryeqyteti i Gjelbër i Evropës, gjatë takimit me Kryetarin Jankoviq, i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti bisedoi lidhur me bashkëpunimin në fushën e ndërmarrjeve publike si dhe për rritjen e hapësirave të gjelbëruara në Prishtinë, thuhet në një njoftim për media nga Komuna e Prishtinës.
Bëhet e ditur se kryetari Ahmeti e ftoi kryetarin e Lubjanës, Zoran Jankoviq, për një vizitë në Prishtinë me qëllim që të finalizohet me projekte konkrete bashkëpunimi midis komunës së Prishtinës dhe asaj të Lubjanës.
Me këtë rast, Kryetari Ahmeti i shoqëruar nga Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi mori pjesë edhe në \"Lubljana Forum\", me temë \"Smart Cities\", që është në funksion të zgjidhjeve inovative për shërbimet ndaj qytetarëve.
Gjatë diskutimit në këtë forum, kompani të njohura u shprehën ta gatshme për ta ndihmuar Prishtinën në këtë drejtim.