19 Janar 2025

Shpend Ahmeti betohet për Kryetar të Komunës së Prishtinës

Prishtinë, 26 dhjetor - Sot Kryetari i ri i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u betua para anëtarëve të Kuvendit Komunal si dhe para qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

“Unë, Shpend Ahmeti, betohem që do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si Kryetar i Komunës së Prishtinës, me nder e besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe pajtim me ligjin, në mënyrë që të siguroj kushte për një jetë të qetë për të gjithë. Betohem!”

Pas betimit, Ahmeti mbajti fjalën përshëndetëse, më ç’rast ndër të tjera falënderoi edhe
Administratën komunale që ia mundësoi të betohet para flamurit kombëtar.

“Dua që së pari t’i falënderoj të gjithë qytetarët që morën pjesë në këto zgjedhje dhe që u siguruan që këto zgjedhje të shkojnë si është më së miri, të jenë të qeta dhe me sa më pak parregullsi. Shfrytëzoj rastin që ta falënderoj për punën e deritashme Kryetarin e fundit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafën, si dhe drejtorët që kanë qenë në qeverisjen e Prishtinës."

Po ashtu, më duhet që t’i falënderoj edhe vullnetarët e aktivistët që punuan pandërprerë në fushatë, që ky betimi i imi të jetë i mundshëm sot, për qeverisjen e re të Prishtinës”, tha në fillim të fjalës së tij Ahmeti.

Ai më tej shtoi se sot me këtë vjen edhe një përgjegjësi tepër e madhe, përgjegjësi më e madhe se çfarëdo menaxhimi tjetër, për shkak se këtu menaxhohet e përbashkëta, publikja.

“E përbashkëta i takon të gjithëve, i takon çdo qytetari të Prishtinës, çdo qytetari të Republikës sonë. Jo vetëm pse paratë dhe buxheti janë të taksapaguesve, por sepse ne jetojmë në një Republikë. E në Republikë, sovrani është vetë populli”.

Ahmeti theksoi se sot u betua jo vetëm para anëtarëve të Kuvendit Komunal, por para të gjithë qytetarëve, sepse do t’iu shërbejë të gjithëve.

“Unë do të jem në shërbimin tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrën më besnike të mundshme, në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme. Ne duhet që shërbimin publik ta kthejmë në shembull të çfarëdo shërbimi tjetër, në mënyrë që nesër të rinjtë t’ia kushtojnë jetën shërbimit publik. Institucionet e fuqishme, me njerëz të ndershëm, njerëz të dijshëm e njerëz punëtorë,  nesër do të na garantojnë se do ta kemi edhe Komunën edhe shtetin të fuqishëm”, tha Ahmeti.

Në fund të fjalës së tij, Ahmeti ftoi anëtarët e Kuvendit Komunal për bashkëpunim të vazhdueshëm drejt zhvillimit të Komunës dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Prishtinës. “Pavarësisht nga numri i votave që keni marrë, ju sot përfaqësoni të gjithë qytetarët e Komunës tonë. Detyra juaj dhe detyra ime është që ta mbrojmë interesin publik”, u shpreh Ahmeti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)