Shoqëria civile vendos të krijoj Platformën e Shoqërisë Civile për Dialogun
Përkundër rifillimit të këtij procesi nën një mandat të ri të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, dhe me përfshirjen direkte të SHBA-ve, mungesa e transparencës, llogaridhënies dhe konsensusit politik vazhdon të karakterizojë të njëjtin.
Në kuadër të zhvillimeve aktuale dhe atyre që priten në të ardhmen, një rol i koordinuar, i harmonizuar dhe i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile, mbetet i rëndësishëm për të shërbyer si katalizator të procesit. Njëkohësisht, një avokim i përbashkët brenda dhe jashtë vendit, përmes veprimeve që synojnë ndikim pozitiv në proces të dialogut, është më se i nevojshëm.
Prandaj, përfaqësuesit e shoqërisë civile të poshtëcekura, vendosin të krijojnë një platformë të përbashkët të bashkëveprimit dhe koordinimit të OJQ-ve në Kosovë, të cilat kanë zhvilluar dhe zhvillojnë ekspertizë në fushën e dialogut Kosovë-Serbi.
Me qëllim të promovimit të transparencës, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes, përfaqësuesit e shoqërisë civile synojnë të ushtrojnë një rol më proaktiv dhe të organizuar, duke u kthyer në faktor më me ndikim në procesin e dialogut dhe atë të normalizimit.
Duke synuar paanshmëri në proces, anëtarët e kësaj Platforme kanë për qëllim të kontribuojnë në proces, me anë të veprimeve të përbashkëta, mbi bazën e ekspertizës së tyre, por duke mos u bërë pjesë e ekipeve politike në kuadër të dialogut. Anëtarët nënshkrues synojnë të promovojnë një dialog publik të strukturuar dhe konstruktiv lidhur me procesin e dialogut dhe temat që ndërlidhen me të.
Përbrenda funksionimit të Platformës, ato synojnë afrimin dhe njoftimin e qytetarit me procesin e dialogut, duke avokuar për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve e palëve të tjera të interesit në këtë proces me akterë të brendshëm dhe ndërkombëtar.
Organizatat themeluese të Platformës:
Demokracia për Zhvillim (D4D)
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Fondi për të Drejtën Humanitare (HLC)
Iniciativa e Re Sociale (NSI)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillimeve të Politikave (KIPRED)
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR)
OJQ ‘Aktiv’
OJQ Mundësia (MDA)
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
S’BUNKER
Donika Emini