Shoqëria civile proteston kundër Projektligjit për financim të subjekteve politike
Prishtinë, 21 qershor - Organizatat e shoqërisë civile kanë bërë të ditur se sot do të organizojnë protestën e shoqërisë civile në kundërshtim të Projektligjit për financim të subjekteve politike.
Protesta do të zhvillohet në të njëjtën kohë, kur mbahet takimi i radhës i Grupit Këshillëdhënës për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, nga i cili ShC-ja ka pezulluar pjesëmarrjen.
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë, së Projektligji për financim të subjekteve politike është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës.
Projektligji sipas tyre degradon parimet kryesore të jetës politike duke rrezikuar integritetin e tërë procesit të reformës zgjedhore, përfshirë edhe cenimin e pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike.
Projektligji aktual sipas tyre dështon në adresimin e prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas në financimin e partive politike, duke u mundësuar subjekteve politike të fshehin identitetin e kontribuesve financiarë të tyre, duke ngritur shumëfish lartësitë e këtyre kontributeve, duke ua zgjatur afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe duke i zvogëluar gjobat, në rastet kur partitë e shkelin ligjin.
Meqenëse Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk mund të shihet si pjesë e ndarë e Reformës Zgjedhore, dhe i njëjti sipas shoqërisë civile rrezikon këtë proces, ata kanë ka kërkuar që projektligji të tërhiqet apo të mos votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Protesta mbahet në ora 10:00 para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.