Shoqëria civile dorëzon peticionin kundër Projektligjit për Amnisti

Mbledhja e nënshkrimeve u nis pak ditë para se projektligji të miratohej në parim nga deputetët kosovarë.
Pas dorëzimit të peticionit të nënshkruar, përfaqësuesi i KIPRED-it dhe udhëheqës i delegacionit të shoqërisë civile në takim me Presidenten Jahjaga, zotëri Ilir Deda, theksoi se shoqëria civile përmes peticionit thekson kundërshtimin ndaj ligjit për amnistinë i cili, siç tha, nuk është në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare si dhe me praktikat e shteteve të tjera, veçanërisht ato të rajonit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vlerësoi angazhimin dhe rolin e shoqërisë civile në Kosovë në procesin e demokratizimit të vendit.
Ajo tha se komunikimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile është i nevojshëm dhe kontribuon në avancimin e proceseve të përgjithshme në vend.
Presidentja Jahjaga tha se do të marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët e vendit dhe theksoi se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Ajo tha se do të shqyrtojë edhe respektimin e normave ndërkombëtare në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe të proceseve që çojnë drejt realizimit të synimit për integrim në BE.
Projektligji për amnisti është rezultat i dialogut për normalizim marrëdhëniesh në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa atë e kanë pëkrahur pjesa më e madhe e subjekteve politike kosovare dhe komuniteti ndërkombëtar.