Shoqata Vatra në shërbim të gjithë kombit
Prishtinë, 27 qershor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim kryetarin e Shoqatës Vatra nga Amerika, Gjon Buqaj, dhe kryeredaktorin e gazetës Dielli(organ i Shoqatës Vatra), Dalip Greca.
Ndihem krenar dhe shumë i lumtur që jam në Kosovë ku pata rastin të shohë shumë ndryshime dhe të arritura, tha kryetari i Shoqatës Vatra në fillim të takimit. Ai në vazhdim falënderoi kryetarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë që i bëri, dhe e njoftoi atë për angazhimet që bën shoqata në të mirë të komunitetit shqiptar që jeton në Amerikë.
Me këtë rast, Buqaj në veçanti foli për përgatitjet që po bën Shoqata Vatra për kremtimin e 100-të vjetorit të saj. Po ashtu, Buqaj shprehu dëshirën e tij që me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, tek ne, të organizohet kremte edhe për 100 vjetorin e themelimit të Shoqatës Vatra.
Buqaj në vijim tha se Shoqata Vatra me aktivitetet e saj mbështesin integrimet ndërshqiptare.
Kryetari Krasniqi, ndërkaq, e falënderoi atë për vizitën, dhe vlerësoi lart punën e madhe 100 vjeçare të Shoqatës Vatra. Në vijim, kreu i Kuvendit u shpreh: Shoqata Vatra ska qenë në shërbim vetëm të komunitetit shqiptar që jeton në Amerikë, por në shërbim të gjithë kombit, tha kryeparlamentari Krasniqi.