Shoqata e të Verbërve takuan kryeparlamentarin Krasniqi
Prishtinë, 19 dhjetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me përfaqësues të Shoqatës së të Verbërve të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Bujar Kadriu.
Temë thelbësore e këtij takimi ishte çështja e Projektligjit për personat e verbër dhe pjesërisht të verbër, i cili tashmë është në procedurë të shqyrtimit në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë bisedës përfaqësuesit e kësaj shoqate shprehën disa sugjerime e propozime lidhur me përmbajtjen e këtij Projektligji.
Njëkohësisht, ata shfaqën gatishmërinë që si shoqatë të kenë qasje në komisionin funksional, sidomos në dëgjimin publik, në mënyrë që edhe ata të japin kontributin e tyre me rastin e shqyrtimit e amendamentimit të këtij Projektligji.
Në takim u tha se ky Projektligj do të shqyrtohet, në pajtim me procedurat e rregullta të Kuvendit.
Kreu i legjislativit të vendit tha se edhe ky Projektligj, i cili pritet që së shpejti të dalë për shqyrtim e miratim në Kuvend, do të jetë në pajtim me standardet evropiane.