Shkullaku: Nuk është çudi koalicioni PDK-LDK
Prishtinë, 28 maj - Opinionisti nga Shqipëria, Armand Shkullaku, i cili është mjaft aktiv në Kosovë, sidomos në kohë zgjedhjesh, ka thënë se gjatë fushatës elektorale do të ketë ashpërsim të fjalorit politik, sidomos nga LDK-ja në raport me PDK-në.
Në një intervistë për Epokën e re, Shkullaku ka vlerësuar se diskursit politik të LDK-së nuk do ti kundërpërgjigjen Hashim Thaçi dhe partia e tij.
Kjo parti - LDK-ja - do të jetë më e zëshme dhe do të tentojë të imponojë një lloj diskursi me agresiv në fushatë ndaj Qeverisë. Ndërsa sa i takon PDK-së, mendoj se fushata e PDK-së do të jetë e përqendruar tek oferta ekonomike dhe nuk besoj se do të replikojë ose të bëjë kundërakuza ndaj LDK-së, ka deklaruar Shkullaku.
Në këtë kontekst, Shkullaku ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, në krahasim me zgjedhjet e kaluara, është duke bërë fushatë më përmbajtjësore.
E veçanta e kësaj fushate, sipas meje, qëndron tek Vetëvendosja, e cila, ndryshe nga subjektet e tjera politike, ka një fushatë më të pjekur politikisht, më të maturuar, më të kujdesshme dhe mua më krijohet përshtypja sikur Vetëvendosja është duke e ndjerë që pesha e saj është duke u rritur dhe në këtë aspekt është duke u treguar më e kujdesshme edhe në fushatën e saj, ka thënë Shkullaku.
Ndërkaq duke folur për epilogun e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Shkullaku ka se mund të ketë surpriza në këto zgjedhje.
Sipas tij, PDK-ja mund të dalë përsëri forca e parë politike në Kosovë.
Se cila do të jetë partia e parë është vështirë ta them, por nëse do tu referohesha zgjedhjeve lokale të vitit 2013, ku PDK-ja kishte një avantazh të lehtë ndaj LDK-së në numrin total të votave dhe duke parë fushatën e deritanishme, pa gjykuar se çfarë do të ndodhë në dhjetëditëshin e ardhshëm, PDK-ja mund ta ruajë këtë avantazh të lehtë, është shprehur Shkullaku.
Pas 8 qershorit, Shkullaku nuk e ka përjashtuar një koalicion në mes të PDK-së dhe LDK-së, por ka thënë se AAK-ja ka mundësi të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme qoftë me partinë e Thaçit apo Mustafës.
Nuk e shoh një koalicion të tillë, por nuk e përjashtoj, sepse gjithçka do të varet nga numrat. Ky koalicion në dukje të parë mund të mos jetë i shëndetshëm për demokracinë, por nëse Kosovë ka ardhur koha të ketë një opozitë vërtet të fuqishme, e këtë e shoh te Vetëvendosja, ka deklaruar Shkullaku. /Epoka e Re/