Shkuarja e Haradinajt në takimin me liderët ka qenë gabim politik
Prishtinë, 10 shkurt - Shkuarja e Ramush Haradinajt në takimin me liderët, të ftuar nga presidentja Atifete Jahjaga, ka qenë gabim politik dhe nuk është bërë në dakordim me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kështu ka thënë gjatë një interviste për gazetën Zëri lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, duke bërë të ditur se dy ditë para këtij takimi, Haradinajt i kishin sugjeruar që ti thotë jo ftesës së presidentes.
Ai thotë se në Kosovë sa më shpejt duhet të organizohen zgjedhjet e parakohshme, ku partitë e bllokut opozitar, bashkë me pjesëtarët e shoqërisë civile, do të shkojnë me një listë të përbashkët, përderisa rregullat e koalicionit do ti caktojë Vetëvendosja.
Kreu i partisë më të madhe opozitare është i bindur se aktualiteti politik dhe institucional nuk e lejon zgjedhjen e cilitdo politikan president të Republikës së Kosovës, me çrast, sipas tij, do të pengohet edhe zgjedhja e Hashim Thaçit, qoftë nëpërmjet gazit lotsjellës, apo formave të tjera të kundërshtimeve politike.
Ai thotë se subjekti i tij politik mund të bashkëpunojë me LDK-në, në qoftë se në krye të saj vjen Vjosa Osmani. /Zëri/