18 Maj 2024

Shkojnë në Shqipëri

Prishtinë, 24 korrik - Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane me ftesë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë janë nisur të hënën për një vizitë zyrtare në Tiranë gjatë së cilës pritet të takohen me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.

Ata do të marrin pjesë edhe në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bujar Nishani.

Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri. “Me ftesë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozofina Topalli, do të qëndrojmë në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri do të takohemi me kryeparlamentaren Topalli, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ministren e Integrimeve, Majlinda Bregu, si dhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë. Gjithashtu, të martën (sot) do të marrim pjesë edhe në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të Shqipërisë, Bujar Nishani”, ka deklaruar Haziri.

Në këtë kontekst, Haziri ka thënë se kjo vizitë zyrtare ka karakter bashkëpunues në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. “Vizita zyrtare e anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane ka karakter bashkëpunues. Si komision parlamentar kemi raporte të shkëlqyera me Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane të Kuvendit të Shqipërisë”, ka thënë Haziri.

Sipas Hazirit, takime të tilla e ndihmojnë jashtëzakonisht shumë punën e komisionit që ai e drejton. “Praktikisht ajo çfarë mund të përfitojë Kosova është eksperienca e Shqipërisë në periudhën e tranzicionit dhe proceset integruese.

Në anën tjetër, kur është në pyetje udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, ne do të mund të njoftohemi me sfidat që është përballur shteti shqiptar, e që do të na ndihmonte të ecim më shpejt në këtë proces”, ka theksuar Haziri.

Në vazhdim Haziri ka thënë se është fat i madh që Kosova dhe Shqipëria kanë prioritet integrimet evropiane, pavarësisht se brenda spektrit politik të shtetit shqiptar nuk ka një konsensus të plotë.

“Agjenda evropiane është numër një në Kosovë dhe në Shqipëri. Por, ajo çka e dallon këtë agjendë është se në Kosovë ka një unifikim të faktorit politik, ndërkaq në Shqipëri është duke ndodhur e kundërta. Në takimet që do të kemi me zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar do të diskutojmë për modalitetet e koordinimit sa më të mirë të punëve në këtë proces”, ka thënë Haziri.

Reforma në drejtësi, sfidë për vizat dhe integrimet

Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë sfida kryesore në procesin e integrimeve evropiane dhe në atë të liberalizimit të vizave për Kosovën. “Implementimi i kësaj reforme është një ndër kërkesat kryesore, e cila do të ketë impakt në dialogun për vizat dhe proceset e tjera integruese.

Deri në vjeshtë të këtij viti në Bruksel pritet një rezultat i prekshëm në shtyllën e sundimit të ligjit në Kosovë”, ka thënë Haziri, duke shtuar se sundimi i ligjit duhet të funksionojë dhe se duhet të nisë zbatimi i përpiktë i vendimeve të gjykatave.

“Natyrisht, në këtë aspekt duhet një aksion i koordinuar politikisht, në mënyrë që rezultatet të jenë vërtet pozitive. Duhet një koordinim më i mirë i të gjithëve. Gjendja është më e mirë sesa vitin e kaluar. Ambienti është më pozitiv, por larg asaj çfarë duhet të jetë”, është shprehur Haziri.

Pavarësisht se Kuvendi i Kosovës është në pushim deri më 21 gusht, janë të vetmit anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane që janë duke punuar në baza ditore.

Kryetari i këtij komisioni, Lutfi Haziri, ka thënë se brenda anëtarëve të komisionit ka një konsensus të plotë për t’i kryer obligimet që u takojnë.

“Vetëm Komisioni për Integrime Evropiane është duke punuar në këto ditë pushimi. Ky komision është i lidhur me agjendën evropiane. Ne do të jemi të gatshëm të mblidhemi në çdo kohë, që t’i kryejmë punët që na takojnë. Jemi duke funksionuar me një konsensus të plotë”, është shprehur Haziri.

Përbërja e delegacionit, Lutfi Haziri (LDK), Xhavit Haliti (PDK), Saša Milosavljević (SLS), Fatmir Limaj (PDK), Blerta Deliu-Kodra (PDK). Vjosa Osmani (LDK), Alma Lama (VV), Blerim Shala (AAK), Suzan Novoberdali     (KKR), Albert Kinolli (6+).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)