Shkëmbimi i ambasadorëve pazar politik
Prishtinë, 14 nëntor - Ish ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i ka quajtur pazare të rënda politike ndërrimet e ambasadorëve të Kosovës në disa shtete.
Në një bisedë për gazetën Epoka e Re, Hyseni ka kritikuar MPJ-në për veprime të nxitura dhe të panevojshme në këtë periudhë. Madje, ai ka vlerësuar se pazaret e tanishme politike do ta dëmtojnë edhe më shumë imazhin e Kosovës dhe cilësinë e shërbimit diplomatik e konsullor të shtetit.
Nuk kam shpjegim për këtë gjë që është duke ndodhur, mirëpo kam një përshtypje se këto lëvizjet apo ndërrimi i ambasadorëve të Kosovës në disa shtete të caktuara janë pazare të rënda politike, të cilat do ta dëmtojnë edhe më shumë imazhin e Kosovës si dhe do ta dëmtojnë rëndë cilësinë e shërbimit diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës, ka thënë Hyseni.
Sipas tij, këto ndryshime në shërbimin diplomatik janë duke u bërë për ti përmbushur apetitet e partive qeverisëse, në asnjë mënyrë për të sjellë kualitet në shërbimin diplomatik.
Pjesa dërmuese e ambasadorëve të Republikës së Kosovës, sipas Hysenit, kanë treguar paraqitje shumë të mirë, prandaj nxitimi për ndërrimin e tyre është i panevojshëm.